Deputeti i PD, Agron Shehaj ka reaguar pas miratimi nga mazhoranca të buxhetit të vitit 2019 si dhe paketës fiskale. Përmes një postimi në Facebook, Agron Shehaj thotë se paketa fiskale i shërben oligarkëve parazitë që jetojnë vetëm përmes kontratave korruptive me qeverinë.
“Largimi i Edi Ramës nga pushteti nuk do sjellë asnjë efekt, nëse bashkë me të nuk do largohen edhe klasa e biznesmenëve parazitarë, që jetojnë në kurriz të pasurive dhe parave publike”- thotë ndër të tjera Shehaj.
Postimi i plotë:
Paketa fiskale për oligarkët parazitë
Në Shqipëri është krijuar një klasë biznesmenësh parazitarë, që jetojnë vetëm përmes kontratave korruptive me qeverinë, pa patur asnjë aktivitet tjetër. Projektbuxheti 2019 do u shërbejë vetëm atyre.
Qeverisja e ndershme dhe në shërbim të njerëzve do të fillojë vetëm kur politikanët të shkëputen nga “bizneset parazite” që nuk prodhojnë asgjë dhe kur të mos ketë më politikanë që hanë, pinë me ta e punojnë për këta biznesmenë.
Largimi i Edi Ramës nga pushteti nuk do sjellë asnjë efekt, nëse bashkë me të nuk do largohen edhe klasa e biznesmenëve parazitarë, që jetojnë në kurriz të pasurive dhe parave publike.
Shqipëria do bëhet nga sipërmarrësit e ndershëm, por për sa kohë në ekonominë shqiptare do komandojnë pushtetarët e radhës dhe oligarkët rreth tyre, do jetë e pamundur që ekonomia të rritet dhe të sjellë mirëqënie për të gjithë./a.meta