Thimio Loli ka marrë pjesë në masakrat e shqiptarëve në 1914, ka punuar për silogjet “Vorio Epirote”, udhëhoqi sulmet në Sarandë, Kurvelesh, Delvinë e me radhë në gjithë jugun.
Masakroi çamët në 1944 krah Zervës, por ka një bust në Kranë të Delvinës.
Tek memoriali i vrasësit Thimio Loli vijnë çdo vit shumë ekstremistë për ta nderuar nën flamurin e të ashtuquajturit Vorio Epir.
*Dëgjoni dëshmitë e njerëzve të zonës ne dokumentarin e Marin Memes në TCH
***
Nga Marin Mema
Ai është një figurë jo pak e njohur në qarqe të caktuara. Disa e identifikojnë përmes dokumenteve të ruajtura nëpër arkiva, të tjerë përmes historive të masakrave të kryera prej tij në jug dhe juglindje të vendit në vitin 1914, por edhe më parë. Thimio Loli ka qenë një ndër të ashtuquajturit komandantë ithtarë të çështjes së Vorio Eprit duke drejtuar çeta kriminelësh, që jo vetëm kanë vrarë mjaft patriotë, por kanë sulmuar e shkretuar qindra fshatra shqiptare.
Loli i përket atij grupi që sulmet ndaj Shqipërisë e shqiptarëve i vendosën në një periudhë të gjatë kohore, prej fillim viteve 1900 e deri diku në 1944-n. Veç pjesës dokumentare ka edhe këngë që flasin për këtë personazh e faktin se shumë nga tentativat e tij u sprapsën nga çetat shqiptare e veçanërisht nga kapedani i njohur Sali Vranishti. Mbi të pati edhe një urdhër arresti në vitet ’40 nga strukturat e atëhershme shtetërore nën pushtimin italian. Ai vuajti një pjesë të vogël dënimi, por pas daljes iu bashkua trupave të Napoleon Zervës duke marrë pjesë në masakrat ndaj popullsisë çame. Thimio Loli është pjesëmarrës në masakra mbi popullsinë civile në këtë krahinë, ka djegur, ka bastisur e dhunuar njerëz të pambrojtur, ashtu siç kish bërë në fshatrat me shqiptarë rreth Follorinës, Kosturit e po ashtu në 1914-n në Kolonjë, Përmet, Labëri, Sarandë, Delvinë e me radhë…
Nuk është e vështirë edhe sot, me një kërkim të thjeshtë në internet, të prekësh e shohësh sesi Thimio Loli nga ekstremistët e versionit Agimi i Artë, por edhe një pjesë e përfaqësuesve të minoritetit në Shqipëri, ende konsiderohet simbol i Vorio Epirit. Madje këngët e tij në greqisht (edhe këto lehtësisht të gjendshme përmes një kërkimi nën emrin e tij) janë himne që u prijnë zërave për luftë e aneksim të jugut të Shqipërisë.
Ajo që është pjesa më e tmerrshme lidhet me faktin se ky vrasës ka një memorial në fshatin Kranë të Delvinës. Në fakt, edhe kjo nuk përbën një risi, por është vështirë e përtypshme, sado u bënë mbi 7 vite që është iniciuar e po aq vite që nderohet nga krerë të minoritetit apo ekstremistë të ardhur nga Greqia. Si mund të lejohet diçka e tillë? Si mundet ata që flasin për bashkëjetesë, për ngritje urash bashkëpunimi, për ecjen në të njëjtën rrugë drejt BE-së andej, e këtej kufirit të nderojnë figura të tilla? A mund të nderohet një vrasës? A mund të nderohet një figurë që edhe sot përfaqëson politika aneksioniste kundrejt një vendi fqinj?
A mundet që politikanë të tillë që nderojnë Thimio Lolin të qahen për gjoja shkelje të drejtash, për ekstremizëm made in shqiptar, për izolim, madje të qahen edhe për mungesën e një vote të lirë? Kjo është e turpshme ose, e thënë më qartë, antikombëtare. Shqiptarët nuk kanë të drejtë të flasin për fshatrat e pafundme që ngelën në krahun tjetër, për masakrat e dhunën e jashtëzakonshme, për fëmijë të nxjerrë nga barku i nënës, për zona të tëra që u shkretuan apo më keq as të bëjnë shenjën e shqiponjës sepse dënohen si askund në vendet e civilizuara. Shqiptarët, nëse përmendin qoftë edhe një element të identitetit të tyre, quhen ekstremistë, ndërsa këta përfaqësues politikë që nderojnë një vrasës vetëquhen europianë…
Turp të tillë vetëm ne mund ta mbajmë mbi shpinë. (TCH)