Prokurorët gjermanë kanë bastisur zyrat e ‘Deutsche Bank’ në Frankfurt në kuadër të hetimeve për pastrim parash. Prokurori publik i Gjermanisë ka dyshime se dy anëtarë të stafit kanë ndihmuar disa klientë të pastrojnë paratë e përfituara nga aktivitete kriminale.
Rreth 170 forca policore dhe zyrtarë të tjerë kontrolluan edhe degët e tjera të bankës më të madhe gjermane. Prokurorët po hetojnë nëse stafi i ‘Deutsche Bank’ ka ndihmuar klientë për të dërguar para të pista në llogari offshore.
Hetimi i autoriteteve gjermane është ndikuar nga publikimet e “Panama Papers”, që zbuloi skandalin me llogaritë offshore të bankave. Në vitin 2016 u zbulua që më shumë se 900 klientë ishin ndihmuar nga një degë e ‘Deutsche Bank’ që të dërgonin paratë në llogari offshore, shuma që kapnin shifrën 311 milionë Euro.
Aksionet e ‘Deutsche Bank’ ranë me 3% pas publikimit të lajmit për bastisjen e zyrave të kësaj banke. Banka konfirmoi hetimin që po kryhet dhe u shpreh e gatshme të bashkëpunonte me autoritetet.
/b.d