Një plagosje me armë zjarri është regjistruar gjatë mesnatës në Librazhd. Policia thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, në një lokal në fshatin Kakavec të Prrenjasit.
Shtetasi Afrim Radiçi, 29 vjeç, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Xh.P., 23 vjeç, banues në Kakavec.
Ky i fundit është transportuar në Spitalin e Librazhdit dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Shtetasi Afrim Radiçi në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka dalë në rrugë dhe nën kërcënimin e armës ka ndaluar mjetin tip “Golf” në pronësi të shtetasit A.B., të cilin e ka marrë dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes” informon policia.
Por falë reagimit të shpejtë të Policisë Librazhd dhe mirorganizimit të punës u bë e mundur që rreth 60 kilometra nga vendi i ngjarjes, në fshatin Dorez, të kapej shtetasi Afrim Radiçi, autori i dyshuar i dy ngjarjeve, plagosjes me armë të 22 vjeçarit si dhe të rrëmbimit të automjetit nën kërcënimin e armës.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit si dhe automjeti tip “Golf”.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të kësaj ngjarje.
a.ç