Ndoshta nuk përmendet prej modestisë, por Caritas-i polak është një nga strukturat më afër me problematikat shqiptare. Dhe, nuk është habi që kohët e fundit Caritas-i polak (Caritas Poland)ka destinuar 110.000 Euro, të mbledhura nga dhurimet speciale të Polakëve në ndihmë të të prekurve nga përmbytjet e dy viteve të fundit në Shqipëri. Kjo ndihmë është, veç të tjerash, përgjigje e angazhimeve të qeverisë polake gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Varshavë më 6 dhjetor 2017. Ndihma e Caritas-it polak mbërriti te 130 familje shqiptare.
Projekti i ndihmës polake ka qenë i ndarë në dy etapa. Etapa e parë u përmbush në rajonin e Shkodrës, ku u ndihmuan familje të prekura nga fatkeqësitë natyrore në formën e materialeve të ndërtimit për të riparuar shtëpitë e përmbytura. Ndihma u materializua mes të tjerash në formën e blerjes së materialeve të ndërtimit, mobiljeve dhe artikujve të përdorimit bazë.
Etapë tjetër e ndihmës ka qenë blerja e pajisjeve elektroshtëpiake (pjesërisht të prodhuara në Poloni) për familje nga zona e Kamzës, të cilat kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve. Për familjet në këtë zonë u dhuruan 70 frigoriferë, 75 lavatriçe, 20 soba elektrike dhe me gaz, kaloriferë, hekura etj. Artikujt me etiketën Caritas Polska iu dhuruan familjeve në nevojë. Listën e nevojave e patën përgatitur me kohë priftërinjtë polakë me mision në Shqipëri, në bashkëpunim me Caritas-in shqiptar.
Në ceremoninë e dorëzimit të ndihmës ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, përfaqësues të Caritas Albania, Famullitari i kishës Shën Gjon Pali II në Bathore, Ati Andrzej Michon si dhe Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, Karol Bachura.
Dorëzimi i ndihmës nga Caritas Poland koincidon me momentin e bukur të festës së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor, por edhe me afrimin e festave të Fundvitit, rast, pra i mirë, për të festuar dhe qenë me shpirt pranë njerëzve në nevojë.