“Para se të të them…Të dua”! Ishte ky një nga librat me vargjet që ngrohën padyshim Panairin e Librit që lamë pas para pak ditësh.
Çka e bën më të veçantë është pikërisht autori, një gazetar i ri i cili lidhjen me botën e shkrimit duket se e ka e do ta ketë të gjatë.
Rrallëherë jemi mësuar të shohim një “personazh” të gjinisë mashkullore, kaq të ri, të shkruaj për atë që të gjithë e mendojnë por pak tentojnë ta bëjnë: Dashurinë. Do e shihni edhe ju kur gjatë leximit të intervistës të kuptoni se ky libër është real për ata që dashurojnë, dhe një “must” për ata që janë…rrugës!
“Para se të të them…Të Dua”, jo më kot rezultoi edhe më i shituri në stendën Barleti, moment i cili siç e tregon dhe vetë autori do ta mbaj mend gjatë.
Siç e shpreh dhe Andrea, paratë e fituara do të blihen libra e do të shkojnë në disa shkolla të Librazhdit.
Mbi vargjet, pasionin, lidhjet e dedikimet e tij, Andrea Danglli rrëfen në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al se ai sigurisht, nuk do të ndalet këtu.
Intervista e plotë:
Andrea, si lindi pasioni juaj për poezinë?
Kësaj pyetje është disi e vështirë për t’i gjetur një përgjigje shteruese. Sado të përpiqem që të gërmoj në thesin e kujtimeve, sërish vijoj të mendoj se poezia është një zhanër letrar që vjen në mënyrë të pavullnetshme. Nëse kur ulem para kompjuterit për të shkruar shkrime gazetareske apo prozë i kam idetë e qarta, tek poezia më ndodh ndryshe. Gjithçka lind spontanisht si të ishte një psherëtimë që vjen nga brenda dhe duhet të gjesh medoemos një copëz letre për ta hedhur apo një qoshe në celular për ta ruajtur. Kështu ndodhi edhe me mua ku psherëtimë pas psherëtime munda të krijoj librin “Para se të të them… Të dua!”.
Cila ka qenë mosha kur e ndatë poezinë tuaj të parë me dikë tjetër?
Ka qenë mjaft e vështirë që ta pranoj se unë mund të shkruaja gjëra që të tjerët do të kishin dëshirë t’i lexonin. Mendoja se askush nuk do të ishte i interesuar për të shpenzuar kohë me blloqet e mija të shënimeve. Sinjalet e para te unë kanë pulsuar diku nga klasa e gjashtë kur nisa të botoj nëpër revista letrare për fëmijë vargje, ese dhe tregime. Edhe pse kur i shfletoj sot duken pak naive, sërish ngelin momente të bukura. Të jem i sinqertë, në fillore detyrat letrare mi punonte nëna ime për shkak të boshllëqeve gjuhësore që unë kisha nga fëmijëria e kaluar në Greqi. Nisur nga punimet e saj, për dreq mësuesja e letërsisë reklamoi një përshtypje pozitive për mua në të gjithë shkollën. Sedra për të mos u quajtur dështak nga shokët nëse do të diktohesha, u bë shkak të zbuloj disa grimca talent që shumë thonë se i kam.
E konsideron një kalim të “komplikuar” nga gazetaria e “fortë” në poezinë “soft”?
Ata që ndjekin aktivitetin tim gazetaresk dhe letrar, më përsëritën këto ditë çudinë e tyre që pena ime në publicistikë është shumë më agresive se sa ajo në vargje. Madje, me humor shtrojnë edhe një pyetje interesante: “Ti kaq i ndjeshëm për dashurinë dhe na shfaqesh romantik?! Mos gënje, me siguri do të jetë ndonjë botim aksidental ku të kanë tjetërsuar krijimtarinë!” Në fakt, konstatimi i tyre nuk vjen pa shkak pasi puna jonë e përditshme dhe realiteti i zymtë, na i imponon rebelizmin dhe shfaq veç anën tonë të ftohtë, të ashpër dhe luftarake. Gjithsesi, ky libër besoj se do shërbejë edhe si një tregues i mirë për skeptikët pasi dëshmon se si edhe gazetaria e “komplikuar” mund të bashkëjetojë në paqe me poezinë “soft”.
Ndryshe nga sa jemi mësuar, një poet mashkull vjen me titullin “Para se të të them…Të dua!”. Mendoni se kjo ju bën romantik, apo realist? Përse ky titull?
Kjo është një ndër ato pyetjet që në gazetari i quajnë shpesh “The best question”. Ndryshe nga sa përpiqem ta përshkruaj në letërsi, unë nuk e konceptoj dashurinë vetëm si një ndjenjë njerëzore me flutura në stomak, luftë me universet, zjarr që përvëlon apo zemër që rreh thellë për të dalë nga vendi. Natyrisht që edhe ato ekzistojnë, por në një farë mënyre duhet ta pranojmë që dashuria është edhe nevojë, respekt, mirëkuptim, pritje, sfidë, guxim, besim, premtim apo marrëveshje reciproke. E thjeshtë të themi shprehje të tipit “Të dua sa madhështia e malit më të lartë apo sa thellësia e oqeanit më të madh”. Këto deklarata s’kanë asnjë vlerë nëse personin që ke përballë e zhgënjen me fjalë pa baza, e deh me iluzione të kota, i tradhton besimit dhe më pas e përdhos si të ishte një copëz letre. Para se të nxjerrim nga goja “Të dua!”, nuk duhet të harrojmë se duhen thënë shumë fjalë të tjera. Këto të fundit, nëse do t’i qartësojmë në kohën e duhur, do mund të krijojmë një dashuri të shëndetshme dhe afatgjatë.
Diku shkruani se ky libër duhej të ishte botuar vite më parë. Cila ka qenë pengesa për të shkuar te lexuesi?
Pengesat kanë qenë në kokën time për shkak të mënyrës se si unë e konceptoj letërsinë. Nën gjykimin tim, jo gjithkush duhet të botojë libra dhe të quhet poet apo shkrimtar. Periudha e tranzicionit e ka përbaltur tepërmi letërsinë tonë duke e shndërruar në një kënetë me lloj-lloj gjallesash. Fatkeqësisht, nga budallallëku dhe mungesa e filtrave, i kanë bërë bashkë me shkrimtarët profesionist duke e ndotur botën e librit. Sot lexuesi me të drejtë e ka të vështirë të besojë te një autor i ri shqiptar pasi duke qenë se lindin aq shumë prurje dita-ditës, natyrisht edhe shkalla e zhgënjimit do të jetë e madhe. Ky ishte muri që i kisha vendosur vetes dhe kur vendosa të botoj dhe të hyj me këmbët e mija në “kënetë”, besova se lexuesit do t’i pëlqej dhe do më nxjerrë prej aty. Tani të shohim.
Sa kohë ju është dashur për shkrimin dhe kurimin e librit? Flasim për muaj apo vite?
Ndryshe nga proza, poezia për mua nuk ka një segment kohor në të cilin shkruhet. Ajo vjen, qëndron, ikën, rikthehet, futet në letra, arratiset sërish…
Pra më shumë është një proces natyror se sa mekanik. Ky mozaik vargjesh është përzgjedhur në arkivën time që daton prej kohës kur unë kam nisur të thur vetë rreshtat e parë dhe deri më sot. Aty është bota ime e parë herë si fëmijë çapkën, herë si adoleshent ëndërrimtar dhe herë si idealist i sëmurë apo i pandreqshëm.
Thoni se janë ëndrra të vjetra dhe të thyera. I dedikohet dikujt ky libër?
Personalisht s’para bëj dedikime për projektet personale pasi e di që me siguri do të harroj ndonjë emër, do të provokoj pa dashur ndonjë ndjenjë të vjetër apo do të çjerr ndonjë plagë të qepur dhe mbyllur. Dua t’i shmangem këtyre pasi jam i bindur që çdo lexues që e merr në duar, e zbulon lehtësisht se kujt i kushtohet ky libër. Por, dua të nënvizoj se “Para se të të them… Të dua!” mes të tjerash është konceptuar edhe si një përqafim i madh për të gjithë lexuesit e mi.
Para një jave lamë pas panairin e librit, si është pritur “Para se të të them… Të dua!” nga lexuesit?
Kur botuesit e “Barletit” më njoftuan në mbyllje të panairit se libri im rezultoi si më i shituri në stendë, fillova të qesh duke besuar se ishte ndonjë shaka për të justifikuar lodhjen në ato ditë plot zhurmë. Ky mendimi i parë u rrëzua shpejt nga grafikët që ata kishin kalkuluar, ku “Para se të të them… Të dua!” çuditërisht rezultonte si më i shituri. Nuk e mohoj se u ndjeva mirë që kisha zgjuar interes tek lexuesi, por thellë ndjeva një lloj përgjegjësie që rrugëtimi im letrar duhet të vazhdojë për të mos i zhgënjyer.
Cila është grup-mosha më e interesuar për të?
Mendoj se aty mund ta gjejë veten gjithsecili. Mund ta gjejë një adoleshent që sapo ka dhënë puthjen e parë, një i ri që vrapon drejt të pamundurës, një ëndërrimtar që ka frikë të zgjohet, një i moshuar që lutet të mos mplaket apo një i “vdekur” që pret atë që nuk i erdhi kurrë në jetë. Pra, “Para se të të them… Të dua!” vazhdon të mirëpresë individë të çdo moshe që i është ndezur llamba e kuqe për të lexuar.
Çfarë i thoni lexuesve të librit tuaj që sapo e kanë blerë dhe atyre që janë ende në mëdyshje?
E kam pak të vështirë të apeloj blerjen e librit tim pasi thirrje të tilla më ngjajnë si të isha ndonjë shitës djathi që po fton myshterinj. (respekt për punën e tyre) Krijimtaria është diçka tjetër dhe s’mund të bëj dot tregti me diçka që unë e kam nxjerrë nga brenda lëkurës për t’ia dhënë njerëzve në duar. Mbase do duken nota modestie, por mendoj se këtë prurje askush s’duhet ta blejë dhe të shpenzohet nëse nuk e ndjen mjaftueshëm për ta shfletuar, nuk beson tek pena ime apo është me mëdyshje. Ajo që mund t’ju siguroj është veç se “Para se të të them… Të dua!” lindi për të mos qenë kurrë një zhgënjim.
Duke ju uruar suksese, besojmë që do t’ju shohim me një tjetër vepër shumë shpejt… Kemi te drejtë?
Kur boton të parin duhet të mendosh për të tretin pasi i dyti duhet të jetë i kopsitur. Unë në fakt pasi të shijoj edhe pak frytet e “Para se të të them… Të dua!”, do nis të sistemoj disa novela të hershme që mbartin histori interesante. Jo nga ato rrëfimet me puthje nën shi dhe me hënë që i përcjell dritë të dashuruarve, por nga ato që ne i kemi aq pranë, i prekim çdo ditë, i shohim çdo moment dhe në fund nuk i kuptojmë. Gjithsesi, uroj që frymëzimin dhe energjitë t’i kanalizoj ashtu siç duhet drejt atij projekti për të vazhduar rrugën aty ku do ta lerë libri i fundit. Deri sa të arrijmë aty, kemi edhe shumë udhë për të bërë.