Banorët e ‘Unazës së Re” janë vendosur pasditen e sotme në rrugën pranë mbikalimit të pallatit me shigjeta, në shenjë proteste për vendimin që parashikon prishjen e banesave të tyre për ndërtimin e Unazës së Madhe. Protestuesit kanë deklaruar edhe njëherë se nuk do të lejojnë askënd tu prishë shtëpitë e tyre, dhe se pronën do ta mbrojnë me gjak.
“O Daniel, o hero, gjithë unaza ty të do”, ishte një nga thirrjet e përsëritura në kor të protestuesve, kushtuar 18-vjeçarit Daniel Drobaj, të arrestuar si i dyshuari që hodhi kapsollën që la të plagosur efektiven e forcave “Shqiponja” të Policisë Ina Nuka, gjatë protestës së të enjtes para parlamentit. Sot, Drobaj u la në masën e arrestit me burg nga gjykata e Tiranës. Në protestë, ishin të pranishëm edhe deputetë të opozitës. Deputeti demokrat, Klevis Balliu, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për tu prishur shtëpitë banorëve.
“Është momenti që Rama të tërhiqet nga ky vendim korruptim. Nëse ai nuk do të tërhiqet, ai do të përballet me revoltën popullore. Dhuna e ushtruar ndaj Danielit kanë vetëm një përgjegjës dhe ai është Edvin Kristaq Rama”, deklaroi Balliu për gazetarët nga terreni.
Një prononcim tjetër, ka qenë ai i një personave të arrestuar për protestën para parlamentit, që më pas u la nga gjykata nën masën e detyrim paraqitjes. “Kam punuar 20 vite në emigrim për të ndërtuar shtëpinë. Pa kaluar mbi trupin tim, nuk e shemb shtëpinë time. Vetëm zotit i bie në gjumë, dhe jo një njeriu që ha buke e pi ujë si puna ime. Është shumë e verifikueshme që s’kam prek asnjë polic, vetëm kam komunikuar me ata dhe i kam thënë që jam në drejtën time”, tha ai.