Banka e Shqipërisë është futur në një ngërç vendimmarrjeje, për shkak se 6 prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës i ka mbaruar mandati. Zyrtarisht, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se tre anëtarët me mandat, njëri prej të cilëve është guvernatori, po zhvillojnë takime informative pa vendimmarrje.
Ndërkohë, Erion Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, i cili duhet të dëgjojë tre kandiaturat e propozuara nga Kuvendi dhe tre nga qeveria, kërkoi që grupet parlamentare të vihen në lëvizje. Deri tani, nga Kuvendi nuk ka asnjë lëvizje. Duhet që personat që kanë shprehur interes të marrin 28 firma deputetësh për t’u zyrtarizuar si kandidatë.
“Shqetësimi im më i madh tani është funksionimi i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili duhet të marrë vendime çdo muaj. Kemi pasur mbledhje grupi pak më herët, kam thënë të njëjtën gjë atje dhe do të vazhdoj të insistoj fort që deputetët të jenë të përgjegjshëm, qofshin këta të pozitës, qofshin këta të opozitës, pavarësisht pozicionit që kanë marrë përkundrejt Kuvendit që të bëjnë propozime sa më parë të jetë e mundur. Bëhet fjalë për Këshillin Mbikqyrës të BSH, i cili në rang nuk është Këshilli Mbikqyrës i një bordi të kullimit”, tha Braçe.
Për propozimin nga ana e qeverisë të ish-ministrit demokrat të Financave, Ridvan Bode, për anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Braçe tha që do të kalojë gjithë procedurën parlamentare.
“Nëqoftëse jeni mësuar me faktin që ai që propozohet u bë, e keni gabim. Në këtë komision ka ndodhur që janë rrëzuar edhe mbi 20 kandidatura, mbi 20 në grup, njëri pas tjetrit, inidvidualisht për institucione të rëndësishme, kështu që vlerësim për asnjë individ unë nuk kam, vlerësimin e bën Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe pastaj deputetët me votë në seancë plenare”, sqaroi Braçe.
Janë 15 aplikantë që kanë shprehur interes pranë Kuvendit për t’u marrë në konsideratë si kandidatë për Këshillin Mbikqyrës të BSH-së. Por, të paktën edhe për dy javët në vazhdim nuk pritet të ndryshojë situata, pasi Kuvendi nuk ka zyrtarizuar asnjë propozim, ndërkohë që deri kur të kemi votimin e kandidaturave të reja në seancë plenare, Banka e Shqipërisë nuk do të marrë asnjë vendim.
ma.me