“Poshtë kriminelët”, “Gjykata të mos bjerë pre”, “Turp” kanë qenë disa nga thirrjet e banorëve të Unazës së Re të cilët sot kanë kërkuar lirimin e të afërmve të tyre.
Në ditën e 22-të të protestës për Unazën e Madhe, banorët e Astirit janë zhvendosur pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në kohën kur në gjykatë po zhvillohet seanca për dhënien e masave të sigurisë, banorët kërkojnë nga gjykata lirimin e tyre. Në seancë ndodhen deputetë të opozitës të cilët mbështesin protestuesit që dhunuan policinë pak ditë më parë në protestën para Parlamentit. Nga deputetet e LSI, të pranishëm në sallë janë Endrit Braimllari dhe Silva Caka.
Kjo seancë vjen pas protestës së dhunshme para Parlamentit, e cila degradoi në dhunë fizike mes qytetarëve dhe policisë.
Protestuesit për të cilët prokuroria do të kërkojë arrest me burg janë; Fluturim Goleci, Ruzhdi Daci, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Amarildo Sinanaj dhe Shpati Bilbilaj. Ata akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.
Nga protesta u plagosën 15 efektivë, mes tyre efektivja Ina Nuka, e cila humbi 2 gishta, ndërsa u shoqëruan 25 persona, nga të cilët 11 u mbajtën në burg dhe sot për 7 prej tyre prokuroria do të kërkojë masën ‘arrest me burg’ dhe për 4 të tjerë detyrim paraqitje.