Duket se hakmarrja e Kosovës ndaj Serbisë me vendosjen e taksës 100% për produktet serbe pas presioneve të administratës së Vuçiç për votë kundër në Interpol, ka krijuar një precedent që mund të përsëritet edhe ndaj zyrtarëve serbë.
Të paktën kështu shkruajnë mediat në Beograd, teksa raportojnë një bllokadë të mundshme nga Kosova për zyrtarë të lartë të qeverisë serbe.
Gazeta “Novosti” shkruan se “edhe para aplikimit të taksës doganore për hyrjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës, autoritetet e Prishtinës më 1 nëntor kanë marrë vendim që zyrtarëve më të lartë të Beogradit t’u ndalohet kalimin nëpër vendkalimet kufitare në mënyrë që të mos hyjnë në Kosovë”.
“Lista e personave të padëshiruar në Kosovë është shpërndarë në të gjitha pikat e kontrollit të policisë në vendkalimet, duke vënë në dukje se do të arrestohen menjëherë nëse paraqiten në ndonjërin nga vendkalimet kufitare”, raporton gazeta serbe.
Gjithashtu “Novosti” i hedh benzinë zjarrit, duke thënë se në listën e zyrtarëve serbë që do u ndalohet hyrja, përfshihet edhe kryeministrja Ana Brnabiç, ministra të qeverisë dhe krerët e Parlamentit të Serbisë, por edhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme.
“Në ‘Listën e zezë’ nga kabineti i kryeministres Brnabiç janë Ivica Daçiç, Nebojsha Stefanoviç, Rasim Lajiç, Zoran Mihajloviç dhe Aleksandër Vulin. Përfaqësuesit e padëshiruar nga Kuvendi i Serbisë janë: Presidentja Maja Gojkoviç dhe zëvendësit Verolub Arsiç, Vladimir Marinkoviç, Gjorgje Miliçeviç, Verica Radeta dhe Gordana Çomiç si dhe 14 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga presidentja Vesna Iliq Preliç, katër gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kasacionit dhe presidentit të saj Dragomir Milojeviç, dhe disa sekretarë shtetërorë e ndihmës ministra”, shkruan gazeta./a.ç