Policia e Shtetit ka publikuar një deklaratë për mediat lidhur me një ngjarje të rëndë në shtetin fqinj ku ka mbetur i vrarë një shqiptar. “Ditën e djeshme, Policia e Shtetit u informua nga Policia greke për vrasjen e një shtetasi shqiptar. Sipas informacionit të Policisë greke, 39 vjeçari Altin Mulla humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri. Policia e Shtetit është në proces të vazhdueshëm shkëmbimi informacioni me Policinë greke për këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po kryen hapat e nevojshme me autoritetet homologe greke, Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe familjarët e viktimës se do të ndiqen të gjitha hapat në kuadër të bashkëpunimit diplomatik dhe policor dypalësh, për sqarimin e situatës dhe të rrethanave ku humbi jetën shtetasi shqiptar.
Sipas burimeve nga vendngjarja, rreth orës 18.30 të së enjtes, policia kishte ngritur një kurth për kapjen e trafikantëve të cilët kishin magazinuar 166 kg e 200 gramë kanabis, e ndarë në gjashtë çanta. Në kohën që tre persona të dyshuar mbërritën në zonë dhe po përgatisnin transportin, ndërhynë forcat policore. Sapo kuptuan se ndodheshin nën ndjekjen e policisë, trafikantët hapën zjarr me automatikë, duke plagosur lehtë një polic, i cili u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën.
ma.me