Kreu i Grupit Parlamentar priti sot në një takim, Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Robert Benjamin. Kryefjalë e këtij takimi ishte reforma zgjedhore dhe mundësitë që kjo reformë të jetë sa më efektive dhe sa më afër standardeve evropiane. Balla është shprehur optimist për këtë takim duke theksuar se Institute si NDI shërbejnë për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit.
“Sot pata kënaqësinë të takohem me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), z. Robert Benjamin. Mjaft optimist që bashkëpunëtorë të tillë si NDI janë mbështetës të reformave të rëndësishme siç është Reforma Elektorale. Tre janë pikat kryesore ku pritet të fokusohet kjo reformë: depolitizimi i komisionerëve, transparenca në financimin e partive politike, kodi elektoral si dhe votimi elektronik, ku së shpejti pritet të realizohen rreth 200 projekte pilote”.
Për Drejtorin e NDI, Robert Benjamin, Reforma Elektorale është një proces shumë i rëndësishëm ku thelbësore është besimi te demokracia dhe transparenca e financimeve të partive politike.
“Në këtë reformë e rëndësishme është pjesëmarrja e qytetarëve, të ndërtohet besimi të procesi zgjedhor. Gjithashtu ky është një proces ku rendësi të madhe ka transparenca e financimit të partive politike si dhe roli i kandidatëve pjesëmarrës”.
Balla gjithashtu shprehu konsideratën e tij për kontributin e dhënë nga ekspertë të NDI në procese kaq të rëndësishme për vendin.
“Vlerësoj dhe shpreh konsideratën më të lartë për kontributin dhe përfshirjen aktive të NDI në proceset demokratike kaq të rëndësishme në vend. Gjithashtu falënderoj Drejtorin e NDI, z. Robert Benjamin i cili në përfundim të takimit shprehu bindjen dhe gatishmërinë se mbështetja e ofruar nga institucioni që ai përfaqëson, do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes projekteve dhe iniciativave konkrete”, shprehet zoti Balla.
ma.me