Gjykata e Shkallës së Parë ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-kreun e ARRSH, Dashamir Xhika nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’. Për Xhikën, që akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me rrugën Tiranë-Elbasan tashmë hetimet do të vijojnë në masën ‘arrest shtëpie’. Ndërkohë që në ‘arrest shtëpie’ ndodhen edhe Albens Alite dhe Aksel Qorduka.
Hetimet dhe akuzat për Dashamir Xhikën
Ish-kreu i Autoritetit Shqiptar të Rrugëve u prangos më 2 shkurt 2018, me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Mbi ish-numrin 1 të ARRSH-së, rëndonin akuzat e shpërdorimit të detyrës për aksin Tiranë-Elbasan, një rrugë e nisur para shumë vitesh dhe e papërfunduar deri më sot.
Ndërtimi ishte parashikuar të kushtonte 407 mln $, por në auditin e ministrisë së Infrastrukturës, rezultoi se kishte një dëm prej 54 milionë $. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e liroi Xhikën më 23 korrik me një vendim që u mor në fshehtësi, por pas apelimit nga prokuroria, gjykata e riktheu në burg në 1 shtator.
Megjithatë, Xhika vijon betejën me drejtësinë për liri dhe pak ditë më parë dosja kaloi nga Krimet e Rënda te Gjykata e Tiranës, pasi mbi ish-kreun e ARRSH ra akuza e korrupsionit duke u akuzuar vetëm për shpërdorim detyre. E ndërsa në datë 19 nëntor Krimet e Rënda shpallën moskompetecën duke e kaluar te Gjykata e Tiranës Xhika sot gjyqtarja Rexhina Memlika vendosi që të pranonte kërkesën duke ndryshuar masën nga arrest me burg në arrest shtëpie.
/b.d