Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti, pasi nuk justifikon pasurite dhe ka kontakte me boten e krimit
Prokurori, i cili ishte njëkohësisht edhe kandidat për KLP iu nënshtrua filtrit të vettingut sa i përket anës profesionale, pasurisë dhe integritetit.
Sipas ILDKPKI, Prokurori Shpëtim Kurti s’ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka kryer fshehje të saj. Gjithashtu KPK duke iu referuar DSIK thotë se prokurori Kurti është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën sepse ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe tendencë të jetë pjesë e krimit.
“Sipas DSIK, subjekti është i pa përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe dyshohet se ka tendencë të jetë pjesë e krimit. Ai ka kontakte të papërshtatshme në më shumë se një rast dhe Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar (DSIK) mund të vihet nën presionin e krimit”- thotë KPK.
Prokurori Shpëtim Kurti e ka filluar karrierën në vitin 2002 dhe që nga ajo kohë ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më herët, ka mbajtur postin e Zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës.
a.ç