Presidenti Ilir Meta mori pjesë në një koncert festiv të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Shkup me rastin e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Meta shprehu në fjalën e tij përshëndetëse kënaqësinë që, në këtë përvjetor, në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë u miratua ligji për përdorimin e gjuhës shqipe. Meta e cilësoi këtë hap si mjaft të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
“Ky vit, ka qenë një vit i sfidave të mëdha, por edhe i shpresave të mëdha, jo vetëm për Shqipërinë, por sidomos për Maqedoninë dhe të gjithë rajonin tonë. Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për gjuhën shqipe që është mirëpritur nga të gjithë ne.Marrëveshja e Prespës është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin tonë. Për integrimet euro-atlantike, për paqen dhe sigurinë afatgjatë.
Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi dhe sfida. Është koha për më shumë bashkëpunim, respekt reciprok, bashkëjetesë dhe mirëkuptim. Respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë.Ndaj le ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët europiane, në mënyrë që t’u lemë brezave që vijnë pas nesh një rajon më të sigurtë, më të zhvilluar, por njëkohësisht edhe mundësi më të mëdha për të jetuar në të.” – u shpreh Meta.
Duke vënë në dukje se ky vit shënon edhe 550-vjetorin e “vulosjes së përjetësisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, por edhe të Europës”, Presidenti Meta nënvizoi faktin se jeta, veprat dhe luftërat e tij janë udhërrëfyesi më i mirë për identitetin dhe përcaktimin e vendit në Europë.
Në përfundim të përshëndetjes, Presidenti i Republikës e falenderoi kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev për kontributin e dhënë ndaj një bashkëjetese të natyrshme midis qytetarëve shqiptare dhe maqedonas. Në koncertin festiv kushtuar Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, i pranishëm ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
a.ç