Nga Ana Abdi/
Turp e faqe zezë! Turp! Po ç’faj ju pati e shkreta police që e latë pa gishtat e dorës, ç’faj ju patën ata që ishin në krye të detyrës, për tju ruajtur ju dhe të tjerët, për të ruajtur rendin dhe normalitetin në këtë vend që nuk është aspak normal, prej njerëzve si ju. Turp!
Kalova dhe unë atje sot dhe mund të isha marrë para prej çmëndurisë tuaj, më hynë të dridhurat prej zhurmës së asaj kapsolle… Dëgjoja njerëz që bërtisnin, në mënyrë shtazarake… Njëra syresh kishte marrë megafonin dhe thonte që ishte intelektuale… Më fal zonjë e dashur, mund të jesh shumë e nderuar, por edhe intelektuale të mos ishe, të kishe pak sens qytetarie në respekt të ligjit dhe pronës, mos të ndërtoje në një pronë që nuk ishte e jotje, mos të ngrije një ngrehinë që na ka zënë sytë të gjithëve e tani kërkoni që shteti të mos ju a prishë… Të mos ju prishë çfarë e nderuar zonjë? Po turp nuk ju vjen? Zaptues të pronës publike, prishës të rendit, modeli më i keq i qytetarit jeni, makabëri… Turp i këtij kombi jeni, prej jush, prej farës tuaj është sot ky vend në ditë të zezë…
Po si nuk ju vjen turp… A keni marre e mend në kokë? Keni zaptuar prona e keni ndërtuar pa leje, godina të shëmtuara, të errëta e beton si botëkuptimi juaj e përdhunisht na keni marrë frymën. Te këto godina reflektohet edhe realiteti juaj i shëmtuar e dashur pa dashur, psikologjia juaj e ndërtimit dhe e zaptimit futet në të përditshmen tonë duke na e bërë ditën më të rëmujshme e kaotike. Thoni që aty jetoni. Dakord, po kjo nuk mund të justifikojë të gjitha kostot që kanë shkaktuar veprimet tuaja në kundërshtim me ligjin e papërgjegjshmëria morale tek të gjithë ne qytetarët e ndershëm që respektojmë ligjin edhe pse jo gjithmonë na vjen më mirë ashtu, por në emër të së mirës së përbashkët, si kosto e të qenit pjesë e shoqërisë…. Në të gjithë këtë histori dhe këtë revolt tuajën e dini çfarë më habit më shumë? Nuk keni hiç po hiç fare të drejtë, kërkesat tuaja nuk kanë kurrëfarë arsyejë e sot u ngritët kundër shtetit, kundër një vajze me uniformë, e goditët pa mëshirë dhe e gjëmtuat, fiks ashtu siç gjëmtoni përditë këtë qytet me sjelljen tuaj shtazarake. Po vaj hallit të ishit ju pronarët e asaj toke? Çfarë mund tju legjititmonte arsyeja juaj e sëmurë të bënit?
Imagjinoni të ngriheshin kështu ish pronarët ndaj zaptuesve dhe ndaj shtetit? Çfarë do të ndodhte këtu…
Po sikur ta kishim lënë Lanën në gjendjen që ishte? Mos t’i kishim prishur as ato ngrehina pa leje? E imagjinoni dot stresin e të jetuarit në Tiranë? Ky qytet ka nevojë të marrë frymë, ka nevojë të krijojë hapësira të reja të denja për qytetarët e tij dhe këtë nuk mund ta pengojnë tekat tuaja shtazarake, të fryra nga politikanë të papërgjegjshëm që meritojnë të jenë në burg, që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë e jo më me politikën.
Kam pështirë nga ju, nga ata që ju frymëzojnë ju… Në fakt ju jeni injorantë për të ardhur keq!! Mirë që keni zaptuar pronë e keni ndërtuar ngrehina pa leje, na keni shqetësuar si qytetarë, na keni bllokuar kalimin, por edhe po ju përdorin politikanë të pabesë e të paskrupullt që po ju rrokulliset pushteti, e bashkë me të pasuria e katandia… Po kjo është për të qarë! O Zot, si ka mundësi që në një vend me një histori të lakmueshme nga e gjithë bota për atë çfarë përfaqëson, në një vend që synon të antarësohet në BE, si ka mundësi që janë ende të paqarta parimet themelore të shtetit ligjor? Turp për ju, e Turp shumë më Turp për ata politikanë që fshihen pas jush e gjoja i dhimbseni ju… Makiavelë të lindur, politikanë që të bëjnë të nxjerrësh zorrët nga dyfytyrësia, falsiteti dhe standardet e dyfishta!
Ku janë qytetarët, pse nuk flasin? Forca qytetarë të mirë të këtij vendi, ju që përfaqësoni vlerat e vërteta të kombit, mos lejojmë të na vërë përpara injoranca, pushtet rrokullisësit dhe parazitat e këtij vendi, qofshin këta të majtë a të djathtë, që nuk kanë bërë gjë tjetër deri më sot veçse përdhunshëm kanë baltosur me arsyen e tyre të çalë, emrin dhe vlerat e Shqipërisë për interesa të ngushta personale, në kurriz të shqiptarëve. Zëri juaj, arsyeja dhe e drejta janë më të forta se propaganda që na ka zënë sytë, veshët dhe televizorët. Ato nuk dinë të bërtasin por janë të gdhendura dhe flenë fort brenda çdo shqiptari. Duam qetësi në vendin tonë, duam të shpëtojmë nga këto politikanë të papërpërgjegjshëm që e mbajnë pushtetin në shpresë të mosbindjes civile e qënieve shtazarake me të cilët ndajmë të njëjtën hapësirë e shoqëri.