Pas një konkursi transparent, ku aplikantët kandiduan me dosje pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u përzgjodhën 25 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë që do të punësohen në Qendrat Shëndetësore dhe Poliklinikat e Specialiteteve të Tiranës. Ministrja Manastirliu priti në një takim ekipin e ri të mjekëve të familjes dhe specialistë.
“Doja t’ju uroja personalisht punë të mbarë pasi jeni mjekë të rinj që jeni përzgjedhur për të qenë pjesë e sistemit tonë shëndetësor mbi bazë merite, me një konkurs transparent në të gjitha fazat e tij”, tha Manastirliu.
19 mjekë familje dhe 6 mjekë specialistë nga sot lidhin kontratat për t’u punësuar në qendrat shëndetësore dhe poliklinikat e specialiteteve në Tiranë, duke ju shtuar ekipit të ri të 153 mjekëve që u punësuan në sektorin publik vetëm gjatë 2018.
“Ne do të vijojmë mbështetjen për mjekët me politikën e rritjes së pagave dhe incentivave financiare dhe me përmirësimin e kushteve të punës”, u shpreh Manastirliu.
Konkursi për përzgjedhjen e mjekëve në shërbimin parësor do të vijojë pas Tiranës, edhe me qarqet e tjera të vendit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se do të përsoset më tej mënyra e testimit, duke krijuar një platformë të ngjashme me “Infermierë për Shqipërinë”.
ma.me