Godet me grusht infermierin, arrestohet në flagrancë pacienti 33-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës, ndërsa Policia ndërhyri menjëherë pas marrjes së informacionit për arrestimin e agresorit
Në pranga, në kushte e flagrancës, u vu B. Dashhani. Arrestimi i tij u bë pasi duke marrë mjekim dyshohet se ai ka pasur një sherr me infermierin e Spitalit të Elbasanit, A. Ndreu, 33 vjeç, me pretendimin se nuk duroi dot pasi po i vonohej marrja e kurës për shqetësimet që kishte në stomak.
Edhe pse vetë infermieri pretendon se ka pasur një komunikim profesional me pacientin, ky i fundit e ka goditur atë me grusht. Policia ka mbërritur menjëherë në spital, e lajmëruar nga stafi spitalor, dhe ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. Dashhani, 33 vjeç, banues në Elbasan.
Ndaj 33-vjeçarit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka nisur hetimet për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”.
Gjatë marrjes në pyetje pas shoqërimin në ambientet e paraburgimit, i riu ka deklaruar para grupit hetimor se gjithçka ka ndodhur në momente tensioni. “Nuk doja të godisja, por ndodhi për shkak të gjendjes ku ndodhesha. Nuk durova dot”, është shprehur i arrestuari.