Reshjet e shiut kanë shkaktuar vonesa, gjatë kësaj të marte, në procedimin e anijeve tregtare në Portin e Durrësit, megjithatë nuk ka pasur probleme në lëvizjen e trageteve të linjës mes qytetit bregdetar shqiptar dhe atij italian të Barit.
E ndryshme paraqitet situata në Portin e Vlorës, nga ku mësohet se trageti i linjës mes Brindisit dhe qytetit bregdetar jugperëndimor ka mbërritur mëngjesin e sotëm rreth orës 8, ka bërë zbarkimin e pasagjerëve dhe më pas ka dalë në det të hapur për të mos u nisur më sot.
Sipas korrespondentit të Top Channel në Vlorë, moti i përkeqësuar ka bërë që deti të ketë dallgë deri në 7 ballë, duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve detare.
Ndërkohë, sipas TCH në Durrës në kalata ndodhen disa anije me ngarkesa të ndryshme mineralesh apo kontenierësh në proces e sipër.
Sipas burimeve nga Kapiteneria e Portit detar të Durrësit, parashikohet që era të mbërrijë deri në shpejtësinë 50 km në orë, duke çuar në dallgëzim 7 ballësh në det. Situata atje pritet që të qetësohet pas të mërkurës.
a.ç