Marina argjentinase ka bërë të ditur se ka gjetur në fund të Oqeanit Atlantik nëndetësen ARA San Juan, që u zhduk një vit më parë me 44 pjesëtarë të ekuipazhit në bord. Nëndetësja është pikasur në një thellësi prej 800 metrash, pranë gadishullit Valdes, në Patagoni. Marina ka bërë të ditur se gjetja e saj është mundësuar nga përdorimi i një nëndetëseje të telekomanduar të huazuar nga anija amerikane Ocean Infinity.
Zbulimi i nëndetëses vjen dy ditë pas një ceremonie përkujtimore për viktimat, organizuar nga familjarët e tyre, më 15 nëntor, ditën kur ajo u zhduk. Menaxhimi i tragjedisë nga ana e autoriteteve ndezi shumë polemika në Argjentinë dhe çoi në dorëheqje në nivele të ndryshme.
Vetëm disa ditë pas mesazhit të fundit të marrë prej saj, zyrtarët e marinës pranuan se nëndetësja kishte pasur probleme me bateritë. Rreth 10 ditë më pas u konfirmua se kishte pasur një shpërthim në bord, me gjasa të lidhur me problemin në bateri dhe ekuipazhi mund të kishte humbur jetën si pasojë e çlirimit të gazrave helmuese.
MA.ME