Nga Paskal Milo
Dimensioni evropian i rezistencës arbërore kundër pushtimit osman nën udhëheqjen e Skënderbeut është njohur e vlerësuar në shekuj në studimet historike e në krijimtarinë letrare e artistike evropiane e botërore. Por ndërkohë ajo nuk ka qënë e trajtuar si çështje e posaçme studimi në gjerësinë e vlerën që i përket. Përvjetori i 550-të i vdekjes së Skënderbeut shërbeu si një shtysë për tu thelluar edhe më shumë në studimin e këtij dimensioni të rëndësishëm të rezistencës arbërore të shekullit XV kundër pushtimit osman.
Evropa kishte disa shekuj që kishte ndjerë kërcënimet që vinin nga Lindja por duke u nisur nga fundi i shekullit XIV ato u bënë më të rrezikshme nga fuqia aziatike në rritje e turqëve osmanë. Ata kishin arritur të vendoseshin pjesërisht në Ballkan, në dyert e Evropës. Me rënien e Perandorisë Bizantine në 1453 rruga e pushtimeve drejt Evropës ishte plotësisht e hapur.
Qytetërimi Evropian i epokës si tërësi e vlerave kulturore, intelektuale, morale, materiale e si mënyrë jetese u ndodh para një sfide të madhe. Thelbi i këtij qytetërimi dhe nxitës i tij ishte krishtërimi (Kristianizmi). Te qytetërimi evropian bashkoheshin traditat greko-romake, ajo judeo-kristiane dhe të ashtuquajturat tradita barbare.
Në shekullin e XV, qytetërimi i krishterë evropian u ndodh nën trysninë e fuqishme të islamizmit dhe të variantit të tij politik më të organizuar, ai i turqëve osmanë.Kërcënimi prej tyre, ishte i “përhershëm, një rrezik universal”, ndaj edhe “krishtërimi duhej të mbronte kundër tij qytetërimin e tij, vetë egzistencën e tij”. Kështu nisi ajo përplasje gjeopolitike midis dy qytetërimeve, atij lindor, mysliman me atë perëndimor, evropian e të krishterë.Këtë pikëpamje e kanë mbrojtur shumë historianë, filozofë e shkrimtarë evropianë në shekuj, duke përfshirë edhe shqiptarë, filluar nga Marin Barleti e deri në ditët tona.
Arbëria e ndodhur në periferinë gjeografike, politike e kulturore evropiane u bë arenë ballafaqimi midis të dy qytetërimeve.Arbërit të ndodhur në vijën ndarëse midis dy perandorive, asaj romake të Perëndimit dhe asaj të Bizantit në Lindje, i përqafuan të dy besimet e krishtërimit, katolicizmin dhe ortodoksinë, në varësi edhe të përkatësisë administrative por edhe të fuqisë së influencës së tyre. Pikërisht “ky qëndrim i ndërmjetëm midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vetë etnike, i ka gdhëndur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë”.(Çabej) Historianët kanë pohuar se “…hapësira arbëre në mesjetë ishte një zonë me larmi të veçantë kulturore, një nyje ku kryqëzoheshin ndikimet kulturore nga bota bizantine me ato nga bota perëndimore, të cilat morrën trajta të posaçme në mjedisin arbër”.
Arbëria në pragun e shekullit të XV ishte një vënd që zhvillohej nga pikëpamja politike, ekonomike, shoqërore e kulturore me ritme të njëjta si edhe vëndet e tjera të rajonit ballkaniko-adriatik.Arbëria mesjetare arriti nivelin kulmor të zhvillimit të saj para fillimit të sulmeve e të pushtimeve osmane.Mjaftë historianë të njohur të huaj mes të cilëve Šufflay dhe Jireçek kanë pohuar “se deri në pushtimin osman Arbëria kishte ndjekur zhvillimin qytetar të Evropës së atyre kohëve”, se “feudalët arbër ishin të barabartë me fisnikërinë e lartë të Italisë”.
Shoqëria arbërore nuk zhvillohej e izoluar.Në një masë të madhe të saj ajo u ndodh në kontakte e nën ndikimin e identiteteve të tjera më të forta.Në gjysmën e parë të shekullit XV ato principata arbërore në lidhje varësie me osmanët ishin ende të lira në besimin e tyre në krishterim. Egzistonte një situatë e veçantë.Ndërsa ato ishin nënshtruar sistemit të timarit, në pikëpamje fetare, kulturore e tregtare ishin të orientuara në lidhje me shtetet perëndimore, kryesisht të përtej Adriatikut.Qytetet bregdetare shqiptare nën Republikën e Venedikut ishin gjithashtu qëndra të ndikimit të gjithanshëm evropian.Ndodhi ai proces që ngadalë, pa u kuptuar e shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, identiteti evropian përthithej në venat e gjakut arbëror.
Identiteti arbëror dhe ai evropian u ndërthurën në një unitet jo vetëm mbi bazën e vlerave shpirtërore, kulturore, të traditës e të lidhjeve tregtare.Ato hodhën hapa afrimi e bashkëpunimi politik edhe para rrezikut osman si kërcënim i vlerave të përbashkëta.Madje ky komponent politik i unitetit të Arbërisë me shtetet evropiane, kryesisht italiane ishte shfaqur që para Skënderbeut, me aleancat e fisnikëve të veçantë arbërorë me Papatin, Mbretërinë e Napolit, Republikën e Venedikut, Raguzën, etj.
Gjergj Kastriot Skënderbeu këtij orientimi të natyrshëm e fillimisht të ndrojtur evropian të shumicës së fisnikërisë arbërore i dha një përmbajtje të re dhe e ktheu në tipar të qënësishëm të identitetit arbëror.
Gjergj Kastrioti ishte shumë i qartë dhe nuk ushqente asnjë iluzion se furia osmane e Sulltan Muratit do të mund të përballohej për një kohë të gjatë në emër të lirisë e të aleancës së brëndshme arbërore.Ai e njihte nga afër e nga brënda armikun e tij të fuqishëm, potencialet dhe ambicjet që ai kishte.Skënderbeu gjithashtu e dinte se shtetet evropiane e në rradhë të parë ato italiane kishin shumë vite që e ndjenin nga afër rrezikun osman dhe tentativat për një kryqëzatë antiturke nuk ishin realizuar.Kauza dhe interesat arbërore u puqën me ato evropiane përballë kërcënimit gjithnjë e më të madh që po vinte nga Lindja.Aq sa nevojë kishte Skënderbeu për ndihmat e mbështetjen evropiane, po kaq e rëndësishme do të bëhej dita-ditës rezistenca arbërore përtej Adriatikut për shpëtimin e Evropës nga kërcënimi osman.Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ishin një proces i dyanshëm dhe i dobishëm për të dy palët.
Arbëria si shtet në kohën e Skënderbeut ka ushtruar një politikë të jashtme të organizuar, kryesisht me shtetet e tjera evropiane.Ka patur kancelari dhe njerëz të ngarkuar me këtë punë, këshilltarë, ambasadorë, të dërguar të posaçëm që sipas misioneve që kryenin merrnin edhe emra të ndryshme.Dokumentet arkivore të kohës dhe burime të tjera historike i përmendin shpesh misionarët diplomatikë të Skënderbeut në Selinë e Shenjtë në Romë, në Senatin e Republikës së Venedikut, në oborret mbretërore të Napolit e të Hungarisë, në dukatet e Milanos apo të Burgundisë, në qytetin e Raguzës, etj.
Paskal-Milo-Skenderbeu1Skënderbeu nuk ishte thjeshtë një udhëheqës guerilas arbëror apo një burrë i fuqishëm i shpatës siç mund edhe të jetë cilësuar rëndomtë në kronika të veçanta të kohës apo në faqe librash të mëvonshme.Ai ka qënë burrë shteti në kuptimin e plotë të fjalës që përcaktoi me vendosmëri dhe me qartësi orientimin evropian të Arbërisë, që me ndërgjegje ndërtoi aleanca me shtete evropiane. Skënderbeu “zotëronte një kontroll të plotë politik e ai ka qënë patjetër në gjëndje që të përcaktonte vetë drejtimin programatik të veprimit të tij”. Duke nënvizuar fortë këtë tipar të qënësishëm të politikës së tij, është më se i drejtë edhe kujdesi që duhet patur që evropeizmin e Gjergj Kastriotit të mos e modernizojmë e të mos e keqpërdorim.Ai duhet vendosur në kornizën e kohës së vet e në logjikën e veprimit politik të një aleance kundër një qytetërimi që ishte i huaj për atë evropian.Pra, nga Gjergj Kastrioti, siç vëren me shumë të drejtë albanologu i njohur At Giuseppe Valentini, nuk do të kërkojmë që të na ketë lënë një traktat për europeizëm, as që edhe të përmëndte Europën në fjalimet që u mbante ushtarëve të vet.
Në politikën e jashtme dhe në aleancat e Skënderbeut me shtetet evropiane ka patur një hierarki marrëdhëniesh.Prioritetet u përcaktuan nga një numër faktorësh si pesha dhe roli i këtyre shteteve kundër rrezikut osman; gadishmëria e tyre për të ndihmuar Skënderbeun në rezistencën e tij antiturke, perceptimi i këtij kërcënimi nga këto shtete , interesat e tyre specifike për të mos u konfrontuar deri në fund me osmanët si dhe shkalla e autoritetit dhe e influencës që këto shtete kishin në nivel evropian.Gjykuar nga veprimi i këtyre faktorëve për 25 vite, marrëdhëniet e Skënderbeut me këto shtete kanë qënë të diferencuara, me ulje-ngritje por pa e humbur asnjëherë boshtin evropian të orientimit në politikën e jashtme.
Një numër historianësh që janë marrë me historinë e Skënderbeut kanë mendimin se aleati i parë dhe kryesor i arbërorëve në rezistencën e tyre antiosmane ka qënë Selia e Shenjtë në Romë. Argumentet janë autoriteti i lartë moral i kryeqëndrës katolike, historia e përpjekjeve për të udhëhequr një kryqëzatë të krishterë kundër osmanëve, ndihmat financiare dhe vlerësimet e larta të papëve për Skënderbeun si mbrojtës i krishterimit.
Autoriteti i Selisë së Shenjtë në shekullin XV nuk ishte në shkëlqimin e tij.Mbretërit dhe princët e fuqishëm evropianë në një Evropë ku mbizotëronte partikularizmi shtetëror nuk i bindeshin universalizmit kristian të papëve të Romës.Ata më tepër ishin në grindje e në luftra midis tyre për pushtet e për zgjerime territoriale.Që nga viti 1439 e deri në 1464 Selia e Shënjtë kishte dështuar në organizimin e kryqëzatës antiosmane, pikërisht për shkak të interesave të ndryshme, të mungesës së gadishmërisë e të flirteve të shteteve të veçanta me sulltanët.Jo të gjitha shtetet evropiane e perceptonin rrezikun osman në të njëjtën mënyrë e me të njëjtin intensitet.Papati, shtetet italiane dhe ato të Evropës Qëndrore ishin në vijën e parë të kërcënimeve osmane.
Shfaqja e Skënderbeut në krye të arbërorëve në frontin e rezistencës antiosmane thuajse nuk u vlerësua në fillim.Vetëm pas fitoreve të para të tij kundër ushtrive osmane jehona e betejave arriti në Romë e në kancelaritë e tjera italiane e evropiane.Thyerja e ushtrive të Sulltan Muratit II dhe të Mehmetit II para mureve të Krujës e në fushë beteja të tjera në tokat arbërore që vazhduan ndër vite ngjalli shpresa të mëdha për shpëtimin e Evropës. Në Romë ato u përjetuan me një interes të madh sepse kalorësit e shquar të krishterimit ishin të pakët.
Gjergj Kastrioti për gati një çerek shekulli u vlerësua me epitetet më sipërore nga papët bashkëkohës të tij.Ata janë shprehur me fjalorin e fesë katolike, e natyrshme për rolin e misionin e Selisë së Shenjtë.Papa Nikolla V (1447-1453) e ka quajtur “luftëtar shumë të fortë” të krishtërimit dhe kampion në mbrojtje të tij kundër turqëve. Papa Kalisti III (1453-1458) e vlerësonte “si mbrojtës i fortë e luftëtar i vërtetë i fesë kristiane”. Pasuesi i tij, Papa Piu II (Enea Silvio Pikolomini) (1458-1464) që e ka ngritur lartë më tepër se të gjithë papët e tjerë e cilëson Skënderbeun si “atleti i Krishtit”, “mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”, njeriu “që e shpenzoi gati tërë jetën ndër armë duke luftuar për emër të Krishtit”. Papa Pali II në gjurmët e paraardhësve e ka quajtur Skënderbeun “kampion trim i Jesu Krishtit”.Cilësime të tilla e kapërcejnë kufirin fetar dhe marrin një dimension tjetër më të gjërë e më thelbësor sepse krishtërimi ishte njohur e pranuar si filozofia e thelbi i qytetërimit evropian.
Këto vlerësime në vështrim të parë krijojnë imazhin se lufta e arbërorëve me në krye Skënderbeun ka patur karakter thjeshtë fetar.Këtë përshtypje janë përpjekur që ta ushqejnë në shekuj edhe historianë të veçantë, të cilët u janë referuar edhe letrave të Skënderbeut drejtuar papëve ku ndër të tjera u shkruan se osmanët janë “armiqtë tanë dhe të besimit të krishterë”, se “dëshirojmë të numërohemi në çetën e besimtarëve të Krishtit”, etj.
Padyshim që krishterimi si ideologji e si besim fetar ishte një faktor nxitës e përbashkues kryesor mes arbërorëve të krishterë, por jo edhe i vetmi.Lamartini, historiani francez i shekullit të XIX thotë se kauza e Skënderbeut ishte më pak fetare se kombëtare.Dhe po kështu nuk ka qënë i saktë edhe vështrimi nënvlerësues i rolit të krishterimit në rezistencën arbërore dhe i përfundimit se Skënderbeu qëndronte mbi fetë.
Selia e Shenjtë ishte shtet dhe në mënyrën e me mjetet e saj ajo bënte një politikë të caktuar në përputhje me objektivat e saj.Ndaj edhe vlerësimet me ngjyrime të papëve për Skënderbeun nuk duhen parë thjeshtë si akte kortezie e nxitëse fetare të kohës por edhe si një veprim me një mesazh e kuptim politik.Papët nuk mund të flisnin me një gjuhë tjetër dhe as mund të dilnin jashtë misionit të tyre.Ata edhe kur përgatitnin kryqëzatën në qëndër të saj vendosnin mbrojtjen e krishtërimit nga të “pafetë”, nga osmanët myslimanë.Madje në përgatitjen për fillimin e saj, në vitin 1464, Papa Piu II e emëroi Skënderbeun komandant të përgjithshëm të ushtrive tokësore evropiane.Por prapa mbrojtjes së krishtërimit e në emër të tij, kryqëzatat dhe shtete të veçanta evropiane si Mbretëria e Napolit, Republika e Shën Markut apo ndonjë shtet tjetër synonin edhe ekspansionin e zotërimin e territoreve të Mesdheut lindor e përtej tij.
Papët kanë çmuar në mënyrë sipërore Skënderbeun edhe në krahasim me kontributet e përkushtimin e mbretërve e princërve të tjerë në mbrojtje të qytetërimit evropian.Papa Kalisti III i shkruante Skënderbeut në shkurt 1458: “Të kishim mes princërve të tjerë të krishterë asish me shpirtin tënd, atëherë nuk do të ishim as të shqetësuar e të brengosur për mbrojtjen e fesë”.Edhe Papa Piu II i shpreh të njëjtin shqetësim udhëheqësit arbëror kur i shkruan: “na vjen keq për së tepërmi që nuk gjetëm ndër princërit e krishterë atë përkushtim që shpresonim të gjenim ndaj punëve të fesë…”.
Këto konsiderata të larta për Skënderbeun dhe rolin e tij nga Selia e Shenjtë nuk përputheshin gjithnjë me ndihmën konkrete që papët i jepnin atij.Për këtë çështje historianët kanë pikëpamje jo të njëjta.Disa prej tyre (Barleti, Noli, Gegaj, Plasari, etj), janë të mendimit se Selia e Shenjtë meriton të ketë vendin e parë midis atyre shteteve që ndihmuan Skënderbeun. Kundërshtarët e këtij mendimi, (Fojgti, Fallmerayer, etj) thonë se ndihma e papëve ka qënë tepër e vogël, “vetëm bekime apostolike dhe me ligjërata panegjirike”. Disa dëshmi të kohës shkojnë në favor të këtyre kritikëve.
Aleatët dhe aleancat Skënderbeu i meritonte për shkak të misionit të tij si një ledh në mbrojtje të qytetërimit të krishterë evropian.Në atë kohë fronti i luftës kundër turqëve osmanë ishte vendosur në zonën e Danubit e të Adriatikut.Kështjellat e rezistencës kundër depërtimit osman në Evropë ishin vetëm dy: mbretëria hungareze me regjentin e saj, kapitenin e madh Janosh Huniadin dhe Arbëria me kryetrimin e saj, Skënderbeun.Eduard Gibbon por edhe historianë të tjerë, Huniadin dhe Skënderbeun i vendosin në listën e heronjëve edhe për një arsye tjetër. Ata “që nga momenti i angazhimit të tyre kundër ushtrive osmane vonuan shkatërrimin e perandorisë greke (bizantine-PM)” si një nga formacionet politike dhe vatrat kulturore më të rëndësishme të mesjetës”.
Skënderbeu dhe Huniadi nuk u takuan nga afër me njëri tjetrin për shkak të rrethanave në të cilat u ndodhën ndonëse përpjekjet nuk munguan.Por në distancë, në respekt të ndërsjelltë për njëri tjetrin e përmes përfaqësuesve të tyre tentuan të ndërtojnë një aleancë.Edhe nëse ajo nuk u arrit në formën e një dokumenti të shkruar, funksionoi në realitet në fushat e betejave kundër armikut të përbashkët osman.Gjithësesi është e njohur se të dy kapitenët e mëdhenj kanë dërguar te njëri tjetri ambasadorë ose përfaqësues për të kordinuar ndihmën e veprimet mes tyre.Këto kontakte filluan në 1446 dhe vazhduan në 1448 deri në 1456 që është edhe viti i vdekjes së Huniadit, pak pas dështimit të rrethimit osman të Beogradit që mbrohej nga heroi hungarez. Largimi i tij nga jeta e la Skënderbeun pa aleat në frontin e luftimeve.Ai “mbeti kryqëtari i vetëm aktiv në Ballkan” dhe morri mbi vehte edhe rolin e Huniadit si heroi i krishterimit.
Shtetet italiane ishin aleate të Arbërisë në luftën antiosmane por ato nuk angazhuan forca të mirëfillta ushtarake veç disa kontigjente të vogla në mbrojtje të kështjellave.Ato u deklaruan disa herë të gatshme për t’iu bashkuar kryqëzatave që Selia e Shënjtë përpiqej të organizonte por nuk shkuan më tej.Ato kishin synimet e tyre të cilat nuk dëshironin ti sakrifikonin në emër të luftës antiosmane.Madje, këto shtete veçanërisht mbretëria e Napolit e Republika e Venedikut ishin në rivalitet të ashpër dhe jo njëherë edhe kishin flirtuar me Sulltanët osmanë.
Marrëdhëniet e tyre me Skënderbeun funksionuan kryesisht në planin ontiosman, por edhe të përcaktuar nga shkalla e lidhjeve që ai kishte me secilin prej këtyre shteteve.Udhëheqësi arbëror u ndodh shpesh në pozita delikate për të ruajtur drejtpeshimin në qëndrimet e tij ndaj tyre.Për këtë arsye marrrëdhëniet kanë pasur lëkundje e përparësi të ndryshme në vitet e rezistencës arbërore.
Skënderbeu kishte vetëm një synim madhor:mbrojtjen e lirisë së trojeve arbërore nga pushtimi osman.Në funksion të tij ai i kërkonte dhe i ndërtonte edhe marrëdhëniet me shtetet italiane.Për nga shkalla e interesit që kishin për rezistencën arbërore në kohë të ndryshme ato i përgjigjeshin ose i refuzonin thirrjet e kërkesat e Skënderbeut për bashkëpunim.
Disa shtete evropiane ishin të prirura tu përshtateshin konjukturave të krijuara, interesave të çastit dhe nuk vështronin larg.Për ato rreziku osman afrohej e distancohej në varësi të rezistencës që bënte Hungaria në frontin e Danubit dhe Arbëria në frontin e Adriatikut.Mbrojtja e krishterimit në emër të të cilit ishin organizuar kryqëzata nuk i mbulonte përparësitë që shtetet evropiane veç e veç kishin në fushën politike apo edhe tregtare.Për venedikasit (venecianët) thuhej se ata vinin racën e tyre mbi fenë dhe së pari ata ishin venecianë e pastaj të krishterë”. Venediku ishte shtet i fuqishëm tregtar në Adriatik e në Mesdhe me flotë të madhe tregtare dhe ushtarake dhe me pikëmbështetje të shumta e të fortifikuara në të gjithë këtë hapësirë të gjërë detare. Në funksion të interesave të saj Republika aq sa i bashkohej aleancës së krishterë evropiane kundër osmanëve po aq edhe përpiqej t’i shmangej kur vinte puna në veprime konkrete.Senjoria kishte nënshkruar që në vitin 1430 një traktat paqeje me Sulltan Muratin II dhe përpiqej të nxirrte përfitimet maksimale prej tij.
Ky pragmatizëm tradicional i Republikës së Shën Markut u manifestua plotësisht edhe në marrëdhëniet me Skënderbeun.Këto marrëdhënie ishin komplekse, të ndërlikuara, me ulje- ngritje pothuajse për një çerek shekulli.
Aleanca e krishterë evropiane dhe antiosmane në rang shtetëror mund e duhej ti kishte dhënë Skënderbeut një ndihmë e mbështetje më të madhe.Në lojë nuk ishte vetëm fati i Arbërisë por edhe i qytetërimit evropian. Brënda në Arbëri e në fushat e betejave të Skënderbeut u krijua në miniaturë një front evropian. Marin Barleti dhe kronika të tjera të kohës kanë shënuar se në ushtrinë e Skënderbeut kishte “një diversitet të madh të kombeve”, italianë, francezë, spanjollë, gjermanë, anglezë, serbë, dalmatë, etj. Rrugëve të Arbërisë vëzhguesit kishin parë dhjetra kalorës francezë që shkonin për tu radhitur si luftëtarë kryqtarë në ushtrinë e Skënderbeut.Gibbon shkruan se “aventurierët më trima të Francës dhe Gjermanisë u joshën nga fama e tij dhe u vunë në shërbim të tij”.Vullnetarët gjermanë u shquan më tepër sipas dëshmive në mbrojtjen e kryeqëndrës së Skënderbeut, Krujës gjatë rrethimit të parë të saj nga Sulltan Murati II në vitin 1450.Ndër anglezët mjaft burime të kohës përmëndin gjerësisht pjesëmarrjen aktive të John of Neëport-it në luftime por edhe në misione diplomatike. Pamja e aleancës simbolike evropiane në rradhët e ushtrisë së Skënderbeut bëhet edhe më e plotë po të llogariten edhe qindra luftëtarë që dërguan mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut, etj, në Arbëri.
Shumica dërmuese e historianëve, filozofëve, poetëve e shkrimtarëve që kanë shkruar për Skënderbeun në shekuj bien dakort në një vlerësim:luftëtar dhe gardian i qytetërimit evropian.Është jashtë çdo mundësie për t’i përmëndur të gjithë ato cilësime, qoftë edhe duke përjashtuar ato shqiptare.Skënderbeu është jo thjeshtë heroi kombëtar i shqiptarëve por edhe pasuri e krenari e qytetërimit evropian.
* Ligjëratë mbajtur në ceremoninë organizuar në Akademinë Britanike me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.