Nëse nuk koordinohen nga këshilltari për mediat, i afruar dy vite më parë (një figurë misterioze për punët që nuk kanë lidhje me zyrën e shtypit), drejtuesit e Bajernit nuk duken të sinkronizuar në këtë periudhë të papritur krize dhe i shtojnë kaos kaosit. “Sigurisht që nuk do të blejmë lojtarë të tjerë në janar”, tha të dielën presidenti Uli Hënes për “Sky”. “Nëse do të kemi mundësinë për të marrë dikë, do e mendojmë. Do t’i mbajmë sytë hapur nëse është e mundur që të përmirësojmë ndonjë pozicion”, tha vetëm 24 orë më vonë drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç për “Kicker”. “Edhe për stolin?” u pyet. “Jo, absolutisht jo”.
ZËRAT – Nga Spanja sigurojnë që Zidan është testuar për të qenë pasardhësi i mundshëm i Kovaçit, berlinezokroatit. Bajerni duket aq shumë i zhbalancuar, sa çdo spekulim tërheq vëmendjen e tifozëve. Por, të hidhesh drejt një trajneri të huaj, pasi je betuar pas Ançelotit, se do që të rikthesh shpirtin gjerman të grupit, nuk duket momentalisht ideja më e mundshme. E vërteta është se Kovaç ishte një improvizim, sepse Hënes mbi të gjithë ishte i bindur që do të bindte Hejnkesin për të vazhduar edhe një tjetër vit. Kur kuptoi se nuk mund ta mbante xhaxhin Jup, ishte vonë për të sjellë personalitete të tjera që spikasnin, mbi të gjithë Tomas Tuhel.
VONESA – Pas gjashtë titujve radhazi në Bundesligë, Bajerni tani është i pesti pas javës së 11-të, 7 pikë larg nga kryesuesja, Dortmundi, që e mposhti 3-2 të shtunën. Kurrë më parë me një diferencë të tillë pikësh dhe në këtë fazë të sezonit, rekordmenët nuk kanë arritur ta rikuperojnë. “Duam ta fitojmë gjithnjë Bundesligën, por nëse ndonjëherë nuk e bëjmë, Bajerni nuk do të zhduket”, tha Hënes me prepotencë.
NERVOZË – Pak të mësuar me humbjet, të kuqtë nervozohen kur ato bëhen të shpeshta: të shtunën Riberi goditi me shuplakë një gazetar francez të televizionit “BeIn”, i cili e kishte akuzuar se ishte shkaku i dy golave të pësuar nga Borusia. Kulmin e preku gruaja e tij, Vahiba, e cila nuk i mbajti dot nervat dhe shpërtheu kundër arbitrit në rrjetet sociale. Riberi, përveç gjobës rrezikon edhe gjyqin, edhe pse klubi organizoi dje një takim mes palëve për ta sqaruar situatën. Por, mbi francezin rëndon edhe një grindje me një nga përgatitësit atletikë. Të martën ishte dita botërore e bujarisë dhe te Bajerni e shfrytëzuan për të dërguar Hamesin që të firmoste autografe dhe bënte foto me tifozët pas stërvitjes. Edhe kolumbiani është në qendër të një çështjeje disiplinore. Të shtunën 0 minuta në Dortmund. Në vigjilje ishte prezantuar 8 minuta me vonesë në stërvitje. “Vendosi trajneri, por Hames mbeti jashtë për motive sportive”, tha Hënes.
GABIMET – Duhet thënë se edhe dëmtimet ndikojnë në krizë (Toliso, Koman, Tiago dhe forma e Robenit dhe Riberisë) kanë shkaqet e saj përveç sintonisë së gabuar me trajnerin. As liderët nuk arrijnë t’i shpëtojnë të tjerët: Boateng, Humels dhe Myler duken ende në modalitetin e Botërorit. Bajerni ka shënuar 13 gola më pak se Dortmundi, ka vetëm sulmin e gjashtë më të mirë të kampionatit dhe mbrojtjen e gjashtë më të dobët. Ka pësuar 14 gola dhe Nojer vetëm dy herë ka dalë nga fusha i pamposhtur