Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Janez Kopac përgëzon Shqipërinë për përmbylljen me sukses të ankandit për të parin impiant fotovoltaik.
“Mirëpresim ankandin e parë për mbështetjen e energjive të rinovueshme në Shqipëri dhe shpresojmë se e njëjta praktikë do të ndiqet edhe nga vendet e tjera që kanë të njëjtin status në kuadër të Komunitetit të Energjisë. Ankandet e energjisë së rinovueshme mundësojnë një garë konkuruese në procesin e garantimit të mbështetjes, duke sjellë çmime më të ulëta të energjisë së rinovueshme. Ky është një përfitim i qartë për konsumatorët e energjisë”, u shpreh drejtori Kopac.
Konsorciumi fitues i garës do të ndërtojë të parin impiant të energjisë diellore në vend, në rajonin e Akernisë, në afërsi të qytetit të Vlorës. Sipas ankandit, 50 MW do të jenë me mbështetje pasi qeveria garanton blerjen me 0.0599/kWh për një periudhë 15 vjeçare, çka është më ulët se sa çmimi bazë i energjisë apo ai i pikut referuar Bursës Hungareze të Energjisë (HUPX), referenca për çmimet e importit në rajon, regjistruar në Gusht dhe Shtator 2018. Një sasi tjetër prej 50 MW, pa mbështetje, do të shitet me çmimet e tregut.
Ankandi i energjisë të rinovueshme në Shqipëri u parapri me hapjen e një tjetër ankandi nga Mali i Zi për ndërtimin në një tokë shtetërore të një impianti me kapacitet të instaluar prej 250 MW, pa garanci blerjeje.
Në Mars 2018, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme publikuan udhëzimet për të ndihmuar shtetet e ndryshme në projektimin dhe implementimin e proceseve konkuruese në mbështetje të energjive të rinovueshme.
/b.d