Personazhet që ai ka sjellë ndër vite padyshim e kanë bërë publikun të qeshë, por mesa duket ka dhe nga ata që mund të jenë indinjuar nga imitimet e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanë të nivelit të lartë. Kështu i ndodhur aktorit të humorit Rezart Veleshnja, i cili vjen çdo fundjavë me personazhe nga më të ndryshmet në spektaklin “Portokalli”.
I ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV ka rrëfyer një episod jo fort të këndshëm që i ka ndodhur pak vite më parë, kur siç pohon ai, është kërcënuar nga truproja i ish kryeministrit Sali Berisha, që të mos e imitojë më. I pyetur nëse ndonjë nga personazhet realë është mërzitur nga imitimet e tij, ak tori përmendi rastin e ish kryeministrit Berisha, që sipas tij dërgonte njerëz për të rrahur aktorët që e imitonin ish kryetarin e Partisë Demokratike.
“Imitimi është dashamirësi, nuk është dashakeqësi, pavarësisht se dikur Sali Berisha i rrihte ata që i imitonin. Po kur e imitonin, Saliu dërgontë njerëz që ti rrihnin, bodigardët e vet. Mua më ka ndodhur, më ka ardhur bodigardi më ka thënë, po e imitove edhe një herë do të fus plumbin kokës. Ka qenë bodigardi i Berishës, një bjond i gjatë, i shëndoshë”, tha Rezart Veleshnja
Ndërkaq, i pyetur se si reagoi ndaj këtij kërcënimi, Veleshnja tha se nuk e kishte marrë aspak seriozisht, pasi në Shqipëri askush nuk të prek me dorë për fjalë, shpifje apo edhe imitime. Por kur vjen puna tek paratë, situata ndryshon krejtësisht.
“Cfarë bëra? I thashë hajde më gjuaj. Po këtu në Shqipëri nuk të vret njeri për llafe apo për imitime, janë kot. Në Shqipëri shaj sa të duash, shpif sa të duash, bëj çfarë të të dojë e bardha zemër, nuk të vret njeri. Po ndërhyre tek lekët aty të vrasin. Këtë e kam nga Bledi Mane”, deklaroi aktori
a.ç