Vendet e rajonit po e orientojnë buxhetin bazuar në prioritetet strategjike të zhvillimit të qëndrueshëm, Shqipëria e ka mendjen tek koncesionet… Shqipëria mbetet vendi me barrën më të lartë të taksave në rajon së bashku me Serbinë, por që nuk arrin ta justifikojë atë me të ardhura. Vendi nuk ka arritur asnjëherë të ketë të ardhura më të larta se 28% të PBB-së, duke u renditur i fundit në rajon dhe ndër nivelet më të ulëta të Europës.
Ndërsa Serbia, me barrë të taksave të ngjashme me ne, është shteti që arrin të mbledhë të ardhura rekord në rajon, në nivelin e 41.8% të PBB-së të pritshme për 2019-n, sipas raportimeve zyrtare të Ministrisë së Financave Serbe në programin ekonomik të reformave 2018-2020. Mali i Zi pritet të mbledhë 40.1% të PBB-së në projektbuxhetin e vitit 2019. Maqedonia ka një rendiment fiskal prej 29% të PBB-së, që ka ardhur në rënie vitet e fundit, si rrjedhojë e taksës së sheshtë.
Taksa ku Shqipëria çalon dukshëm është ajo e kontributeve të sigurimeve shoqërore, që sjell vetëm 5.6% të PBB-së, ndërsa mesatarja e rajonit është midis 8-10% dhe arrin rekord në Serbi me 14.6%. Evazioni nga pagat konsiderohet i lartë në vendin tonë, me pjesën më të madhe të bizneseve që raportojnë paga më të ulëta sesa realja. Niveli i lartë i tatimit mbi të ardhurat, me 23% për pagat mbi 130 mijë lekë e nxiti dhe më tepër evazionin për pagat e larta, duke bërë që shumë individë të regjistroheshin si subjekte të vogla dhe të lëshonin fatura përkundrejt shërbimeve (qeveria po merr masa në Paketën Fiskale 2019 për të luftuar këtë fenomen).
Për TVSH-në, Shqipëria, në nivelin 8.8% të PBB-së është më mirë se Maqedonia, por më poshtë se Serbia dhe Mali i Zi. Ky i fundit, që mbështetet në industrinë e shërbimeve (turizmin) arrin të mbledhë një rekord prej 14.6% të PBB-së. Një tjetër taksë e nënmbledhur është akciza, me vetëm 2.8% të PBB-së në Shqipëri, sa gjysma e Serbisë, që ka dhe rendimentin më të mirë.
Tatimfitimi ka një rendiment të mirë fiskal në Shqipëri, me gati 2% të PBB-së, në nivele të ngjashme me vende të tjera të rajonit.
Shqipëria dhe Maqedonia kanë nivelin më të ulët të tatimit që mbledhin nga të ardhurat, me rreth 2.4% të PBB-së, nga 3.6% që është ky tregues për Serbinë. Ndryshe nga fqinjët, Shqipëria ka një nivel të lartë të taksave të tjera, që vijnë kryesisht nga renta minerale, teksa vendi ka dhënë një pjesë të konsiderueshme të pasurive të tij me koncesion.
SHQIPËRIA ME SHPENZIMET MË TË LARTA KAPITALE, PAGAT MË TË ULËTA
Niveli i ulët i të ardhurave nuk u lë shumë hapësira financave për të shpenzuar, teksa maksimumi i deficitit buxhetor që ata mund t’i lejojnë vetes është rreth 3% e PBB-së. Por, Shqipëria arrin të veçohet për nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, që për 2019-n parashikohet në 4.9% të PBB-së, duke ia kaluar vetëm Mali i Zi, me 6.3% të PBB-së. Shpenzimet e personelit në Shqipëri dhe Maqedoni janë më të ulëta në rajon, me 4.2 dhe 4.4% të PBB-së, ndërsa në Serbi e Mal të Zi, ato arrijnë në gati 10% të PBB-së.
Në Serbi, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave në gusht, paga mesatare në sektorin shtetëror në të gjitha nivelet ishte rreth 85 mijë dinarë, ose rreth 717 euro, nga rreth 420 euro në sektorin publik shqiptar.
I gjithë rajoni vuan nga zhbalancimi i skemës së pensioneve, që konsumon mesatarisht 10-15% të PBB-së si shpenzime për transferta sociale. Maqedonia, me borxh më të ulët, shpenzon 1.35% të PBB-së për pagimin e interesave, ndërsa në vendet e tjera,ky tregues luhatet mes 2.1-2.7%.
KRAHASIMI I TAKSAVE
Përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se cili i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte një nivel të sheshtë afër 10% për tatimfitimin e dividendin. Pas krizës globale, që ngadalësoi gjithë rajonin, Shqipëria dhe Serbia kaluan drejt shtrëngimit fiskal, duke e rritur sërish tatimfitimin në 15%, duke pasur taksat më të larta në rajon, ndërsa Maqedonia e Mali i Zi nuk e ndoqën këtë praktikë.
Sot, sipërmarrjet shqiptare paguajnë në total taksa dhe kontribute që janë sa 37.3% e fitimeve të tyre, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”.
Ky nivel është më i larti në rajon, edhe në krahasim me Serbinë, që ka nivele taksash të ngjashme me ne. Bizneset serbe paguajnë taksa e kontribute sa 36.6% të fitimeve. Maqedonia është shteti me barrën më të ulët të taksave për bizneset, me vetëm 13.3% të fitimeve (bizneset në Maqedoni paguajnë vetëm tatimfitimin dhe taksat bashkiake). Më pas renditet Kosova, që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22% dhe Bosnja me 23.7%.
Bizneset shqiptare paguajnë më shumë taksa e kontribute në raport me fitimet, sesa mesatarja e Azisë dhe Europës Qendrore (32.3%) dhe në nivele të krahasueshme me vendet me të ardhura të larta të OECD (39.8%).
Shqipëria dhe Serbia kanë normën më të lartë të tatimfitimit në rajon me 15%. Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë tatimfitimin 10% dhe Mali i Zi, 9%. Shqipëria dhe Serbia kanë gjithashtu kontributet më të larta të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëmarrësi, me përkatësisht 15 dhe 17.9%. Maqedonia dhe Mali i Zi nuk e rëndojnë punëmarrësin me kontribute, por ato paguhen tërësisht nga punëmarrësi dhe kjo është një nga arsyet pse bizneset e tyre rezultojnë që paguajnë pak taksa e kontribute në raport me fitimet. Ndërsa Kosova e ka të ndarë, por në nivele shumë të ulëta, 5% i paguan punëmarrësi dhe 5% punëdhënësi. TVSH, që është në fakt një taksë që nuk paguhet nga bizneset, por mblidhet përmes tyre nga konsumatorët, është sërish më e lartë në Shqipëri dhe Kosovë, me 20%.
RAJONI E ORIENTON BUXHETIN BAZUAR NË STRATEGJINË E ZHVILLIMIT EKONOMIK
Serbia, Maqedonia e Mali i Zi kanë një vizion të qartë se ku duan të shkojnë, teksa kanë hartuar strategji zhvillimi të bazuara mbi udhëzimet e Programit të Reformave Ekonomike, të publikuara nga Komisioni Europian në prill të vitit 2017. Në bazë të strategjive dhe objektivave që duan të arrijnë, ata po orientojnë dhe planet e investimeve publike dhe mbështetjeve buxhetore.
P.sh., Maqedonia ka si prioritet nxitjen e eksporteve; Mali i Zi, turizmin dhe teknologjinë e informacionit; Serbia ka nxitjen e teknologjisë dhe inovacionit, të kombinuar me edukimin, por nuk mbetet pas as bujqësia. Planet e tyre të infrastrukturës janë të përqendruara kryesisht në rrjetet e ndërlidhjes europiane të rrugëve, në funksion të projekteve për lehtësimin e eksporteve. Edukimi dhe orientimi drejt teknologjisë së informacionit janë prioritete të tjera të vendeve të rajonit.
Maqedonia
Maqedonia ka parë një ulje të ndjeshme të të ardhurave buxhetore, që në 2017-n arritën në 29% të PBB-së, nga 34-35% që ishin mesatarisht deri në 2010-n. Ekspertë të financave të Maqedonisë shpjeguan për “Monitor” se rënia e të ardhurave ka ardhur si rrjedhojë e zbatimit të taksës së sheshtë në 10%, duke ndikuar performancën buxhetore.
Në draftin e “Reformave strukturore 2018-2020”, të publikuar nga Ministria e Financave e Maqedonisë, parashikohet që vendi, teksa është i vogël dhe nuk mund të mbështetet vetëm nga tregu i brendshëm, të bazohet tek eksportet dhe të rrisë konkurrueshmërinë, në mënyrë që të përballet me sfidat afatgjata të rritjes. Raporti vlerëson që politikat kanë pasur njëfarë suksesi në tërheqjen e investimeve të huaja dhe sofistikimit të eksporteve, por sërish ka nevojë për përmirësime, pasi aftësia e SME-ve vendase për t’u integruar më tej në tregjet ndërkombëtare është e kufizuar, për shkak të nivelit të ulët të menaxhimit dhe kapaciteteve financiare dhe teknike.
“Megjithëse Maqedonia është një lider rajonal në politikën e tregtisë, ka vend për përmirësime në transport dhe logjistikë që mund të nxisë performancën e tregtisë, duke lehtësuar dorëzimin e produkteve. Duhet të zgjidhen pengesat e kalimit të kufirit, në mënyrë që të reduktohen kostot dhe koha e transportit, çka do të kontribuojë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e kompanive. Maqedonia është një shtet i kufizuar me tokë dhe është kryesisht i varur në një rrjet transporti i zhvilluar mirë. Një nga sfidat kryesore të shtetit është të reduktojë distancën me tregjet e eksportit dhe kostot e transportit që vijnë nga kushtet e dobëta të korridoreve të transportit dhe vonesat e mëdha në kalimin e kufijve”, thuhet në raport.
Serbia
Pas një rënieje në periudhën 2008-2013, kur të ardhurat në raport me PBB-në zbritën në 40% të PBB-së, Serbia ka rikuperuar sërish vitet e fundit, në 44% të PBB-së. Në programin ekonomik të reformave 2018-2020, qeveria e Serbisë planifikon lehtësim fiskal, përmes uljes së taksës së pagave, teksa do të nxisë shpirtin e sipërmarrjes dhe novacionin, si dhe do të promovojë programin e bazuar te njohuritë dhe teknologjinë, që do të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës dhe reduktimin e papunësisë. Një sfidë kyçe është ndalimi i emigrimit të trurit dhe kthimi i tij, si dhe tërheqja e talenteve vendas dhe ndërkombëtarë.
“Në mënyrë që Serbia të integrohet tërësisht në sistemin ekonomik ndërkombëtar, është e nevojshme, mes të tjerash, që të përcaktohen masat që synojnë nxitjen e proceseve teknologjike dhe të zbatohen rregullore teknike dhe standard, që do të lehtësojnë kalimin drejt rritjes së peshës së eksporteve të teknologjisë së lartë ndaj totalit të eksporteve”, thuhet në raport.
Krahas zhvillimit të teknologjisë, bujqësia mbetet një sektor prioritar i Serbisë.
Mali i Zi
Strategjia fiskale 2017-2020 e Malit të Zi parashikon që të ardhurat në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të arrijnë në 40.1% të PBB-së në 2019-n. Sipas dokumentit publik të Ministrisë së Financave të Malit të Zi, “Drejtimet e Zhvillimit të Malit të Zi 2018-2021”, qeveria ka vendosur katër prioritete për arritjen e objektivave strategjikë, të cilët janë turizmi, energjia, bujqësia dhe zhvillimi rural dhe industria përpunuese.
Këto drejtime zhvillimi me projekte specifike dhe strukturë financiare janë baza për programimin e investimeve në nivel shtetëror, të cilat bëhen duke pasur parasysh prioritetet e zhvillimit të Bashkimit Europian, përmes rritjes së zgjuar (mjedisi i biznesit, SME-të, prodhimi, konkurrueshmëria, shkenca, edukimi i lartë, teknologjia e informacionit, turizmi), të qëndrueshme (bujqësia dhe zhvillimi rural, pylltaria, energjia, mjedisi, transporti, ndërtimi e strehimi) dhe rritja gjithëpërfshirëse. (tregu i punës, edukimi, sporti, mirëqenia sociale, kujdesi shëndetësor).
Në të njëjtën kohë, masat e identifikuara dhe angazhimi i burimeve reflektojnë politikën e qeverisë së Malit të Zi për të krijuar një mjedis të realizimit të projekteve, veçanërisht në fushën e turizmit dhe energjisë, sipas një modeli që nuk implikon pjesëmarrjen e shtetit në dhënien e fondeve, thuhet në dokument.
Për të arritur konsolidimin fiskal, qeveria e Malit të Zi ka rritur akcizat, në linjë me vendet e BE-së, TVSH-në me dy pikë përqindje, ka ulur pagat në sektorin publik, ndërsa nuk ka prekur taksat e tjera, në mënyrë që Mali i Zi të vijojë të mbetet një vend tërheqës për investime. Fokus të veçantë kanë arsimi dhe teknologjia e informacionit./monitor