Ndeshja mes Juventusit dhe Milanit nuk ka kaluar pa tension. Cristiano Ronaldo u përplas me Gonzalo Higuain pasi ky i fundit ishte ndëshkuar me karton të kuq. Argjentinasi nuk ia përtoi të shpërthente ndaj portugezit dhe ta shtynte atë, një veprim që ka çuditur të gjithë pasi ata kanë qenë dikur shok skuadre.
“Unë i thashë vetëm që të mos e ekzagjeronte, për të mos rrezikuar një ndëshkim më të madh. Ai ishte nervoz, po humbte ndeshjen. Nuk duhet absolutisht t’i vëmë faj, unë nuk thashë asgjë”, deklaroi Ronaldo.
Portugezi gjithashtu vlerësoi këtë fitore duke e cilësuar Milanin si një skuadër mjaft të fortë.
“Nuk është asnjëherë e thjeshtë të luash ndaj Milanit në “San Siro”. Kemi treguar superioritet, jemi me të vërtetë të lumtur. Është një fitore e rëndësishme. Jemi kthyer përsëri te 6 pikët diferencë nga Napoli. Jam i kënaqur sepse edhe ia dola të shënoja gol”, tha portugezi.
ma.me