Një grua është arrestuar në Queensland, në lidhje me skandalin e gjilpërave në luleshtrydhe, që tmerroi Australinë dhe Zelandën e Re. Policia tha se 50-vjeçarja u arrestua të dielën, pas një hetimi të gjatë dhe të vështirë.
Gruaja pritet tani të përballet me akuzat formale. Një hetim mbarëkombëtar nisi pasi blerësit e tronditur raportuan rastin në shtator. Ka pasur më shumë se 100 raporte për gjilpëra të gjetura në luleshtrydhe, edhe pse shumë prej tyre dyshohen se ishin thjesht një kopjim apo sajesë në mediet sociale. Fermerët u detyruan të hidhnin luleshtrydhe me ton dhe supermarketet i tërhoqën ato nga shitja.
Rasti i parë u regjistrua në Queensland, kur një burrë shkoi në spital me dhimbje stomaku, pasi kishte ngrënë luleshtrydhe. Frika u përhap në çdo shtet australian, e më pas edhe në Zelandën e Re, duke ngritur alarm publik.
Si reagim, qeveria e Australisë rriti maksimumin e dënimit me burg për manipulimin e frutave, nga 10 në 15 vite burg. Kryeministri australian Scott Morrison premtoi se do të përndiqte përgjegjësit. Në Queensland, ku industria e luleshtrydheve vlen 160 milionë dollarë australianë, ose 115 milionë dollarë amerikanë në vit, qeveria premtoi një milion dollarë australianë mbështetje për fermerët e prekur.
Një shpërblim prej 100 mijë dollarësh australianë u ofrua për informacionet që do të çonin në arrestimin dhe dënimin e autorëve. Gruaja e arrestuar, emri i së cilës ende nuk është bërë publik, do të dalë para një gjykate në Brisbane, të hënën.
a.ç