Ambasadorja franceze në Shqipëri Christine Vasak, nga Korça ka komentuar ngërçin qeveri-Presidencë të krijuar, pasi Meta nuk dekretoi Sandër Lleshin në postin e Ministrit të Brendshëm duke sjellë më pas lëvizjen e kryeministrit për ta komanduar, ndërsa ia ka ridërguar dekretin kreut të shtetit.
“Unë mund të reagoj si juriste, por nuk më takon mua dhe kolegëve të mi të reagojmë për këtë situatë. Mendoj që si kryeministri ashtu edhe presidenti janë persona me eksperiencë në politikë që kanë shkëmbime permanente mes tyre dhe që e dinë shumë mirë se çfarë duhet të ndodhë”, tha Christine Vasak
Fjalën e fundit për këtë situatë do ta thoshte Gjykata Kushtetuese, por ky organ është jashtë funksionit. Christine Vasak shprehet se autoritetet shqiptare duhet të gjejnë një zgjidhje urgjente, pasi Gjykata Kushtetuese është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme, referuar marrëveshjes me Greqinë.
“Ju e drejtoni gishtin në një problematik të vërtetë, por do duhet që si çdo vend tjetër edhe Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese. Është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme. Edhe këtu duhet të kemi besim tek autoritetet kompetente që të gjejnë një zgjidhje sepse vërtet është urgjente”, komentoi Christine Vasak
Ndërkohë që është në vëzhgimin e BE-së për realizimin e objektivave për luftën kundër krimit dhe drogës, ministria e Brendshme aktualisht drejtohet nga një zv/ ministër, por si e shikon ambasadorja këtë situatë?
“Ecuria e Shqipërisë është e qartë ashtu siç është gjurmuar ose janë ngritur vijat e përgjithshme 26 qershorin e vitit të kaluar dhe këtu bën pjesë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e të tjerat që ju i dini. Iniciativa domethënëse janë ndërmarrë, por duhet të ndiqen dhe të thjeshtohen. Duhet të bëjmë besim në autoritet shqiptare për të ndjekur realizimin e objektivave sepse koha shpejton”, theksoi Christine Vasak
Ambasada e SHBA dhe BE-së në Tiranë pas komandimit të Sandër Lleshit reaguan duke i dërguar një mesazh Presidentit Meta “Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e luftës kundër krimit dhe drogës”. Por tashmë pritet përgjigja e Metës pas ridërgimit të dekretit nga Rama për Sandër Lleshin.