Nga Mira Kazhani/
Teta Sofia dhe Xhaxhi Stefani janë në kujtimet e fëmijërisë time si miqtë më simpatikë të prindërve. Sigurisht që në qytetin tim në Veri këto dy emra ishin të rrallë dhe është ajo që mendoni, ishin minoritarë nga Dropulli që jetuan atje deri pas viteve ’90. Më kujtohen të dielat me byrekun me pulë brenda që bënte për habinë time të madhe xhaxhi Stefani.
Veshjet e së bijës që ishin pak më moderne, fakti që e ajo nuk bënte punë shtëpie si gjithë vajzat e tjera, si të them, ishin më modernë e liberalë dhe krejt ndryshe nga pjesa tjetër.
Prindërit e mi ishin të ndryshëm, por jemi dashur shumë aq sa bënim edhe pushimet së bashku dhe gjatë ditëve në plazh, mami më nxinte jetën që të mësoja greqisht. Unë në fakt doja vetëm të jetoja si greke, ose që nëna ime të ishte aq liberale sa shoqja e saj minoritare.
Nuk ndodhi asnjëra nga këto, por gjithmonë me fantazinë e një fëmije kam dashur të shoh Dropullin dhe për hir të së vërtetës, minoriteti grek ka gjetur dashuri dhe ka respekt, sot e kësaj dite, si nga qytetarët e thjeshtë dhe deri në përfaqësimin e tyre në jetën publike. Jemi rritur me dashuri për ta dhe nuk është mbjellë asnjë ndasi.
Në Tiranapost.al, ngjarjen e ekstremistit grek që qëlloi drejt policisë shqiptare e kemi parë me kujdes, sepse e keqja bëhet fare lehtë dhe funerali i shndërruar të enjten në një manifestim politik qe një rast skandaloz, provokues, dhe që meriton ndëshkim!
Viktima Kacifas nuk mund të jetë hero i grekëve, aq më pak të trajtohet si një hero politik në varrimin e tij dhe në tokën shqiptare, veç miqësisë nuk ka pse kërkon kurrkush të mbjellë urrejtje!
Është ai rast kur media në Shqipëri ka qenë e bashkuar dhe e kthjelltë, ndryshe nga disa deputetë të parlamentit shqiptar që shfrytëzuan varrimin e një horri, ose edhe thjesht të paqarti, për të hapur sherr!
Kaçifas as nuk ngjan me minoritarët që ne shqiptarët kemi miq, e kemi pasur miq. Minoriteti grek që jeton në Shqipëri si çdo minoritet, duhet të përshtatet me jetën shqiptare. Të mësojnë të duan Shqipërinë, shqiptarët, siç ne i kemi dashur, duam dhe kujdesemi për ta. Si çdo pakicë që përshtatet kudo që shkon dhe Shqipërinë mund ta shash për një mijë e një të zeza, por kurrë për mungesë respekti ndaj të huajit.
Ngjarja e Bularatit, veç i turpëron protagonistët. Ndoshta ne shqiptarët jemi më tolerantë sesa fqinjët, e mbase këto ditë na kanë përbuzur e lënduar me të padrejtë.
Ndonjë patriot, se fjalën nacionalist s’dua ta përdor, ka të drejte të presë më shumë nga reagimi i Tiranës zyrtare, por pikërisht nga kjo “dobësi” vjen maturia e një vendi në mes të Ballkanit.
Patriotizmi nuk është ulërimë, dhe sigurisht i pamjaftueshëm me komente nëpër facebook. Ata që urrejnë nuk janë më trima, por më frikacakë.
Ne kemi qenë gjithmonë me komshinj të ndryshëm dhe jo vetëm ne, askush se ka fqinjin sipas kërkesave!
Në shtëpinë tonë nuk u bëmë kurrë si në familjen e teta Sofisë dhe xhaxhi Stefanit, por kalonin mirë pavarësisht! (Tiranapost)