Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në kryeqytet 33-vjeçari Genci Caci që mbeti i plagosur në atentatin e djeshëm në Durrës.
Caci ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda.
Ngjarja që tronditi mbrëmjen e kaluar Durrësin ndodhi në zonën e plazhit, në vendin e njohur si ‘Rruga e Çamëve’ dhe nga të shtënat mbeti i vrarë në vend Edison Harizaj, ndërsa 33-vjeçari Caci u plagos në kokë dhe trup, plagë të cilave nuk ka mundur t’u mbijetojë.
Automjeti tip ‘Audi’ në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci u qëllua me breshëri kallashnikovi. 39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.
Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010. Ai dyshohet se ka kryer një sërë krimesh, përfshi dhe ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
/b.d