Salah dhe Abdullah Khashoggi janë dy djemtë e gazetarit të vrarë në Konsullatën saudite në Stamboll. Djemtë e gazetarit të vrarë kanë dhënë intervistën e parë pas ngjarjes, nga ku kanë bërë thirrje për gjetjen e trupit të babait të tyre. Ndër të tjera, kanë deklaruar se që pas vrasjes së babait të tyre, po kalojnë një gjendje ankthi dhe pasigurie.
Dy djemtë e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi, bënë një apel emocionues për kthimin e trupit të babait të tyre, në intervistën e tyre të parë pas ngjarjes. Djemtë e gazetarit, Salah dhe Abdullah Khashoggi, në një intervistë për CNN rrëfyen se kanë kaluar një javë ankthi dhe pasigurie pas vdekjes së babait të tyre.
“Unë me të vërtetë shpresoj që çdo gjë që ndodhi nuk ishte e dhimbshme për të, uroj të ketë pasur një vdekje të qetë. Gjithçka që duam tani është ta varrosim babanë tonë në Medinë (Arabinë Saudite) me pjesën tjetër të familjes së tij. Kam folur për këtë me autoritetet saudite dhe shpresoj që kjo të ndodhë së shpejti”, deklaruan djemtë e gazetarit.
Autoritetet në Turqi deklaruan se janë ende në kërkim të trupit të gazetarit Khashaggi, pasi dyshohet se trupi është shpërbërë në acid. Khashoggi, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe ka shkruar editoriale për “Washington Post”, hyri në Konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, por nuk doli më prej andej, përgatiti Express. (b.an)