Bashkia e Tiranës vijon zbatimin e projektit për shfrytëzimin e shkollave si qendra komunitare në kryeqytet.
Pas investimit të Bashkisë së Tiranës, të rinjtë dhe të rejat e zonës së Kombinatit mund të shfrytëzojnë terrenet sportive dhe mjediset e shkollës “Kongresi i Manastirit” për aktivitete kulturore dhe sportive gjatë orëve të pasdites dhe në fundjavë.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi standardet e punimeve, ndërsa theksoi rëndësinë që po i kushton bashkia edukimit të fëmijëve.
“Më vjen mirë që projekti që kemi përqafuar për Njësinë 6 të na ecë sa më mbarë edhe në shkollat e tjera. Kemi filluar tek “Betim Muço”, po vijojmë këtu, do të vazhdojmë edhe në shkolla të tjera. Unë e di që ndoshta është pak përtesë të dalin e të sjellin fëmijët në sport, por besoj se nuk ka investim tjetër më të rëndësishëm për karakterin e fëmijëve pas orës së mësimit se sa marrja me sport”, u shpreh Veliaj.
Veliaj tha se “Si prindër, të gjithë e dimë se fëmijën nuk mjafton vetëm ta ushqesh, njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, por jetojnë edhe me sport, me muzikë, me libra, me kinema, teatër, shëtitje në natyrë. Rëndësi ka që t’i japim frymën gjithë Tiranës që të merret dhe të organizojë aktivitete sportive. Pavarësisht nëse bëhemi apo jo anëtarë të skuadrave kombëtare, besoj se jemi të gjithë anëtarë të një skuadre, që është skuadra e Shqipërisë, skuadra e Tiranës, dhe pavarësisht ku do shkëlqeni, ose në sport, ose si inxhinierë, ose si doktorë, politikanë, deputetë, ose si një aktivist i këtij komuniteti, jam i bindur se mësimet që marrim nga sporti në 62 palestrat tona, janë mësime që na duhen gjithë jetën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj përshëndeti vendimin e qeverisë për të ndaluar të gjitha lojërat e fatit. “Një nga gjërat më të mira që është vendosur këtë vit dhe që hyn në fuqi në datën 1 janar është mbyllja e të gjitha pikave të basteve, bingove dhe kazinove. E di që mund të jetë 1 në 100 burra që është mërzitur, por ju garantoj se 100% e grave dhe fëmijëve janë gëzuar sepse do ta kenë babin më shumë në shtëpi dhe më rrallë me lacat e lagjes, duke lënë lekët në baste. Jam i bindur që Tirana del shumë e fituar nga kjo punë”, u shpreh Veliaj.
/b.d