Top Story përmes inskenimeve dhe improvizimeve në terren, solli në vëmendje dhe ngjarjen ku me 10 gusht të vitit 2018, Fatbardh Lici mbeti i vrarë si pasojë e 6 plumbave të drejtuar drejt tij.
Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 Janar. Dyshimet ishin përforcuar edhe më tej, se mes familjes Bajri dhe Lici kishte nisur lufta.
Edhe pse hetuesit u treguan të kujdesshëm për të mos dalë në konkluzione të pavërteta, fisi Bajri lakohej për këto ngjarje kriminale. Ndërkohë, dëshmitë e të afërmve të Licit nuk ndihmuan për të mbështetur dyshimet e hetuesve, se sulmi po vinte nga Bajrat.
Fatbardh Lici ishte i skeduar në Policinë e Shtetit, për dyshimet e një vrasjeje në pritë, në vitin 2011, të Astrit Kurmemaj, edhe ky gjithashtu i dënuar për vrasje. Por kjo pistë u rrëzua, pasi familjarë të Kurmemaj u panë në funeralin e Licit.
Vrasja e Fatbardh Licit, u hetua si pjesë e zinxhirit të vrasjeve që ndodhën në Shkodër gjatë këtyre muajve të 2018-ës. Gjithçka që policia mund të bënte ishte të ndiqte gjurmët dhe të studionte krimet në zinxhir për të ngritur pista drejt së vërtetës që nuk u gjet kurrë.
Pjesëtarë të familjes Bajri kishin qenë në vëzhgim prej të paktën gjashtë muajsh. Madje, ata mbikëqyreshin me dronë në lagjen e tyre.
Por, provat që t’i implikonin Bajrat në krimet me Licët, mungonin. Edhe pse policia mbante nën vëzhgim persona të konsideruar të rrezikshëm, do të vijonin të ndodhnin të tjera ngjarje./a.ç