Kuvendi i Kosovës po debaton në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, apo “korrigjimin e kufijve”.
Për mbajtjen e seancës u vendos në Kryesinë e Kuvendit pas kërkesës Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga 42 deputetë.
Në emër të LDK-së, parti kjo që ka kërkuar këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për të miratuar një rezolutë me të cilën presidentit Hashim Thaçi do t’i pamundësohej të negociojë me Serbinë çështjen e kufirit të Kosovës.
Ai tha se qasja e presidentit që në negociata me Serbinë të diskutohet çështja e kufirit, është jokushtetuese dhe e dëmshme.
Thaçi muajt e fundit ka prezantuar idenë e njohur tashmë si “korrigjimi i kufijve”, e cila sipas tij mundëson bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Për këtë ka pasur kritika jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar si dhe ndërkombëtarët kanë shprehur shqetësime.
Pas përfundimit të këtij debati, Kuvendi do të vijojë punimet, përkatësisht, votimin e pikave të mbetura nga seancat e nisura më, 13 dhe 14 shtator, si dhe të asaj më 15 tetor, për të vijuar më pas, edhe me vazhdimin e seancës së 18, 19 dhe 25 tetor.
a.ç