Drejtori i klubit Partizani, Olsi Rama, ka folur për mediat greke pas banderolës së vendosur në ndeshjen Partizani-Skënderbeu “një grek më pak, një bastard më pak”. Në një prononcim për gazzeta.gr, Rama ka thënë se banderola nuk ështeë vendosur nga tifozët e Partizanit, dhe se nëse fajtorët do ishin identifikuar, qendrimi i klubit do të ishte i menjëhershëm. Rama ka thënë se po punohet për të zbardhur ngjarjen dhe për të gjetur fajtorët.
“Pozicionimi i klubit nëpërmjet komunikatës ka sqaruar fjalët që dua të them. Sapo e pamë atë banderolë në tribuna, fola me policinë dhe me stafin tonë, që ta hiqnin atë parullë. Qëndroi e hapur për shumë pak minuta. Është e qartë që incidentet të tilla duhet të na bëjnë më të alarmuar. Qëllimi ynë është të luajmë futboll, dhe çdo gjë tjetër jashtë fushave nuk ka lidhje me ne. Për fat të keq, nuk kemi kamera sigurie për të lokalizuar ata që e hapën. Kërkuam, pyetëm, por Ultrasit tanë e mohuan të kishin lidhje me atë rast. Ai që e ka bërë, me siguri e ka bërë për të shkaktuar ndonjë problem, por e kuptojmë që është në pakicë dhe nuk ka vend në fushën tonë. Ju siguroj se nëse do i dinim fajtorët, do kishim vepruar në një mënyrë tjetër. Nacionalistë dhe ekstremistë të tillë nuk kanë vend tek ne. Ata nuk përfaqësojnë qëndrimin tonë dhe në bashkëpunim me autoritetet, po mundohemi nëse ka ndonjë mënyrë për të gjetur ata që e bënë”, tha Olsi Rama, drejtori i klubit Partizani
Një banderolë ku shkruhej “Një grek më pak, një bastard më pak” është ngritur të hënën në stadiumin “Selman Stërmasi” përgjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu. Parulla në fjalë ka shkaktuar një sërë reagimesh qoftë nga pala shqiptare e qoftë nga ajo greke, por së fundmi ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit. FSHF-ja e ka cilësuar banderolën me sfond racist dhe të papranueshme për fushën e blertë.
ma.me