Protestuesit grekë dogjën flamurin shqiptar gjatë një tubimi të zhvilluar në Athinë mbrëmjen e së martës.
Akti ndaj simbolit tonë kombëtar sipas mediave greke ka ndodhur gjatë protestës për vrasjen e 35-vjeçarit Kostandinos Kacifas nga fshati Bularat i Gjirokastrës, të cilën mediat greke e quajnë Epiri i Veriut.
Protestuesit u mblodhën pas një thirrje të organizatorëve nëpërmjet interentit dhe kërkuan qe qeveria greke të kërkojë sqarime në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit.
Kostandinos Kacifas mbeti i vrarë pasditen e kësaj të diele gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në Bularat të Gjirokastrës, teksa ishte i rrethuar.
Gjithçka pasi më herët 35-vjeçari kishte qëlluar në ajër në fshat dhe më tej kur policia ishte vënë në ndjekje, kishte shkrepur armën dhe ndaj uniformave blu.
Kacifas prej pak ditësh ishte kthyer në Gjirokastër pasi jetonte në Athinë. Ai ishte i divorcuar dhe kishte një vajzë 13 vjeçe.
Po ashtu bëhet me dije se në vitin 2009 ai ishte arrestuar nga policia greke në periferi të Athinës, për trafik droge.
/b.d