Draftligji për statusin e minatorit do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë. brenda muajit nëntor. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me banorët e zonës së Hasit, ku u njoh nga afër me problemet dhe sugjerimet e qytetarëve. Njëri prej banorëve të Hasit u ndal te statusi i minatorit dhe te nevoja për të patur një pension sa më të lartë, me qëllim përballimin e kostove të jetesës.
“I dëgjoj diskutimet e tua për statusin e minatorit dhe e vërteta është se me djersën e minatorit, janë shkolluar të gjithë këta që sot drejtojnë. Të marrësh një pension që s’mund ti përballosh të gjitha, pasi unë jam i rregullt, paguaj energjinë, ujin, ilaçet sepse nga puna në minierë kam pluhura në mushkri, unë kërkoj që të më kthehet kjo diferencë e pensionit”, u shpreh banori.
Pasi i sugjeroi që për çdo problem që ai ka, t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes, kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se qeveria e tij ka mbajtur angazhimet në lidhje me minatorët, duke shtuar se është duke u përgatitur një draftligj, i cili pritet që të kaoljë brenda nëntorit në Parlament.
“Ajo që duhet të bësh është ekzaktësisht kjo që kanë bërë të gjithë t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes. Ata që nuk ta kanë dhënë pensionin siç të takon, do të ikin nga puna dhe t’i do marrësh atë që të takon. Prandaj është platforma, sepse janë raste pas rastesh ku ty të takon dhe nuk e merë, atëherë duke shkruajtur në platformë do të angazhohemi ne si qeveri direkte për ty. Përsa i përket statusit, së pari mos e harroni një gjë, që ne mbajtëm angazhimet që kishim në mandatin e parë lidhur me minatorët. Se duket sikur minatorët trajtohen njësoj sikur trajtoheshin mëpërpara, kjo nuk është e vërtetë. Përsa i përket statursi ne po bëjmë një draftligj siç e ka gjithë Europa, një status për të gjitha këto profesionet e vështira që hyjnë te kategoritë e mbajtjes së statusit të veçantë. Do ta çojmë në Parlament besoj brenda nëntorit dhe t’i japim drejtim kësaj çështje në mënyrë definitive, brenda mundësive si dhe duke respektuar sakrificat që ju keni bërë në këto fusha të vështira”, – theksoi Rama.