I veshur me uniformë ushtarake, Konstantinos Kaçifas ka qëlluar disa herë në ajër rreth orës 10:00 pranë banesës së tij në fshatin Bularat. Forcat e policisë që ishin planëzuar me shërbim në fshat me rastin e festës së përvitshme, pasi shkuan në vendin e ngjarjes u përballën me të shtëna në drejtim të makinës së policisë. 35-vjeçari ka qëlluar disa herë në drejtim të makinës së policisë, gjë e cila dëshmohet nga shenjat e plumbave.
Të ndodhur përballë kësaj situate, punonjësit e policisë kanë kërkuar mbështetje me efektivë shtesë. Gjatë ndjekjes, 35-vjeçari i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të policisë. Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste, policia ka kërkuar ndihmën e forcave speciale. Me mbërritjen e këtyre të fundit, RENEA ka bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat. Mësohet se, në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Kaçifas ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre.
“Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.
Kaçifas ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Konstantinos Kaçifas”, bëhet e ditur nga Policia e Shtetit. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një armë kallashnikov, dy karikatorë dhe një çantë me fishekë, si dhe 31 gëzhoja. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /ma.me