Partitë opozitare vazhdojnë insistimet e tyre se Qeveria në krye me Ramush Haradinajn duhet të rrëzohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por pozita s’po i merr seriozisht deklaratat e opozitës dhe nga Qeveria thonë se vetëm nëse duan Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj – vendi shkon në zgjedhje.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se vetëm nëse shkohet në zgjedhje, atëherë do të ketë stabilitet në Kosovë. Njësoj deklaron edhe Lëvizja Vetëvendosje e Partia Socialdemokrate, ndonëse kjo e fundit po kritikohet se është besnike ndaj partive në pushtet, dhe s’presin nga ta ndonjë votë mosbesimi.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha për Koha.net se në këtë situatë vetëm zgjedhjet e reja mund të krijojnë stabilitetin e nevojshëm institucional për t’u marrë me probleme të jetës së përditshme të qytetarëve.
“LDK-ja është e gatshme për këtë proces. E gjithë opozita është e unifikuar në këtë çështje, se vetëm zgjedhjet e reja mund të nxjerrin vendin nga kjo situatë. Në një situatë tjetër, vetë Qeveria do të tërhiqej për të hapur rrugë për proceset demokratike”, ka thënë Hoti.
Deklarimi i kryeministrit se “duket se do të qëndrojë deri në fund të mandatit”, thotë Hoti, reflekton logjikën qeverisëse të njerëzve të etur për pushtet, e jo për t’u shërbyer qytetarëve bazuar në parimet demokratike.“Ai e ka të qartë se Qeveria që drejton mund të bjerë në çdo moment dhe është i kënaqur nëse e shtyn edhe një ditë më tepër. Kemi shumë punë në Qeverinë e ardhshme për t’u marrë me dëmet e shkaktuara nga kjo qeveri e pakicës”, ka thënë Hoti, përgatiti Koha. (b.an)