“Nuk mund të vazhdojmë me golemizimin e bregdetit tonë”, paralajmëroi sot pasdite kryeministri Edi Rama në konferencën Kombëtare të Turizmit, ku ai paraqiti disa nga piketat e zhvillimit të kësaj industrie në të ardhmen.
“Nuk mund të ndërtojmë me të ashtuquajturit fshatra turistikë që konceptohen si fshatra personale për t’u shitur, pa lidhje me atë që kanë majtas apo djathtas, përballë detit dhe pa asnjë respekt për atë që kanë pas”, theksoi kryeministri Rama.
“Dy fenomene njohu Shqipëria e tranzicionit: bathorizimin si fenomen demografik dhe golemizimin si një ankth për të kaluar nga qyteti në fshat e për t’u kthyer nga i pasur në qytet në fshatar turistik në bregdet”, theksoi kryeministri.
Rama shtoi se Shqipëria ka një bregdet me një potencial të jashtëzakonshëm. “Jemi potencial i pazbuluar i Mesdheut, me bukuritë tona, me aspekte të virgjërisë fizike të vendit dhe nëse vazhdojmë me inercinë e golemizimit brenda 20 vjetësh nuk do jemi më vendi ku të gjithë duan të shkojnë, por vendi ku turistët e huaj nuk do kenë interes të kthejnë kokën”, tha ai.
Kryeministri shtoi se nuk do të mungojnë alternativat për ndërtuesit dhe investitorët, por koha e shitjes së apartamenteve në bregdet për të pasurit e qytetit duhet mbyllur dhe duhet të nisë faza që investimet në bregdet të bëhen në mënyrë të atillë që turizmi të krijojë më shumë të ardhura dhe vende pune.
“Të kombinojmë bukurinë që kemi, me investime, e jo ta përdhunojmë me format më vulgare të zhvillimit, që janë pjesë e një faze historike por që nuk mundet që në një zonë të virgjër, të kemi projekt zhvillimi të një fshati që ka numër shtretërish sa gjithë Kroacia, një fshat të pasurish pa lidhje me turizmin”, theksoi kryeministri.
Ai garantoi investitorët se nuk do të kthehen pas në projektet e tyre, por do t’u jepet mundësia e kalimit në fazën e ndërtimit të kontributeve zinxhir për turizmin shqiptar. “Këto projekte i japin Shqipërisë së zhvilluar ambicien për të mos ngrënë veten dhe për të mos mbyllur derën e së ardhmes duke shfrytëzuar e prekur bukuritë e së shkuarës”, tha kryeministri Rama.