Gazetarja Fatojna Mejdini, e ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH tha se lista e shumëpërfolur e mediave të financuara nga Greqia është një trillim i personazhi të njohur si komandat “Çami” (Festim Lato).
Përmes një investigimi gazetarja zbuloi se origjina e këtij lajmi ishte në një blog personal. “Origjinën e lajmit e gjeta në një blog personal. është botuar të dielën në orën 8.51 dhe u publikua më pas në dy portale në Maqedoni, që nuk kanë pronarë të deklaruar, por financohen nga diaspora. Më pas u shpërnda edhe në shumë media të tjera”, u shpreh Mejdini në RTSH, ndërsa shprehu shqetësimin për gjendjen e medias, që publikon lajme të paverifikuara.
Dyshime për vërtetësinë e këtij lajmi shprehu edhe gazetari Robert Goro, I cili prej vitesh është korrespondent në Athinë. Në emisionin “Përballë”të gazetarit, Lutfi Dervishi, Goro shperhu dyshime për burimin e kësaj liste. “Nuk është burim grek, se në Greqi nuk është publikuar në asnjë gazetë, as në atë që përmendet në mediat shqiptare”, – tha Goro në RTSH.
Ai u shpreh se ky lajm nuk do të ndikojë në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi aq sa në punën e gazetarëve të përforlur. “Ajo që më shqetëson më shumë është se mund të ndikojë në komunitetin e gazetarëve shqiptarë, në një lloj autocensure që ata mund të kenë”, – tha gazetari Robert Goro.