Kremlini shprehu shqetësim të hënën në lidhje me zotimin e Presidentit të SHBA, Donald Trump për t’u tërhequr nga një marrëveshje kyçe për armët nga koha e Luftës së Ftohtë me Rusinë, duke thënë se prishja e marrëveshjes do ta bënte botën një vend më të rrezikshëm.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov u tha gazetarëve se Rusia nuk e ka shkelur traktatin e quajtur INF dhe nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zhvillojnë raketa të reja atëherë Rusia do të detyrohet të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Zëdhënësi Peskov tha se zyrtarët rusë duan të marrin më shumë informacion në lidhje me planet e SHBA-së lidhur me Traktatin e Armëve Bërthamore me rreze të mesme gjatë bisedimeve këtë javë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton.
Presidenti Trump ka akuzuar Rusinë për ndërtimin dhe testimin e raketave që shkelin traktatin e vitit 1987.
Marrëveshja ndalon Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për ndërtimin, provat dhe depozititin e raketave bërthamore me rreze prej 500 km deri në 5.000 km.
Ish-presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov e nënshkroi marrëveshjen me ish-presidentin amerikan Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1987.
“A nuk e kuptojnë në Uashington se ku mund të çojë kjo?” citon agjencia e lajmeve Interfax ish-presidentin Gorbaçov. “Dëshira e Uashingtonit për të ndryshuar këtë politikë nuk mund të mbështetet. Jo vetëm Rusia, por të gjithë ata që e çmojnë botën, veçanërisht një botë pa armë bërthamore, duhet ta deklarojnë këtë.”
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha për agjencinë e lajmeve Tass se masa e SHBA-së do të ishte “një hap shumë i rrezikshëm”.
Pa e specifikuar se si Rusia e ka shkelur traktatin, presidenti Trump tha të shtunën se Moska nuk do të shpëtojë nga pasojat.
“Rusia ka shkelur marrëveshjen, e ka shkelur atë për shumë vite dhe ne nuk do t’a lejojmë të shkelë një marrëveshje bërthamore. Ata të bëjnë armë dhe ne jo”, tha presidenti Trump.
Zyrtarë amerikanë që nga nga koha e administratës Obamës kanë akuzuar Rusinë për vendosjen e qëllimshme të një rakete detare me bazë në tokë për të paraqitur një kërcënim për NATO-n.
Rusia ka mohuar shkeljen e marrëveshjes së dhe thotë se sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat përbëjnë shkelje.
Në Uashington thonë se shumë nga këto sisteme parashikohen në marrëveshjen INF për t’u mbrojtur nga një brezi të ri armësh në një botë që përballet me sfida të reja të sigurisë globale.
“Ne do të na duhet të zhvillojmë armë të tilla, sepse nëse Rusia e Kina i zhvillon, dhe ne jemi duke respektuar marrëveshjen, kjo është e papranueshme” tha presidenti Trump.
Kina nuk është pjesë e marrëveshjes INF.
Beatrice Fihn, drejtoreshë ekzekutive e Fushatës Ndërkombëtare për Heqjen e Armëve Bërthamore – koalicioni që fitoi Çmimin Nobel të Paqes 2017 – tha se “duke deklaruar se do të largohet nga Traktati INF, presidenti Trump ka treguar se është një njeri i prishjes që nuk ka aftësi për të ndërtuar siguri reale, por duke hedhur në erë traktatet bërthamore, ai po e çon SHBA-në në një garë të re e të shushtueshme të armëve bërthamore”.
Dmitry Oreshkin, një analist politik i pavarur rus i tha Associated Press, “Ne po shkojmë ngadalë në situatën e Luftës së Ftohtë, siç ishte në fund të Bashkimit Sovjetik, me pasoja mjaft të ngjashme, por tani mund të jetë më keq për shkak se presidenti Putin i përket një brezi që nuk ka parë luftë, këta njerëz nuk janë aq shumë të frikësuar për një luftë siç ishin në epokën e Brezhnevit, për shembull. Ata mendojnë se nëse e kërcënojnë Perëndimin siç duhet, Perëndimi do të friksohet”, thotë analisti i pavarur Oreshkin.// VOA
ma.me