Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu u ka kërkuar autoriteteve kosovare kthimin në Turqi të pjesëtarëve të organizatës “Feto”, që Turqia e cilëson si organizatë terroriste. Të premten në orët e vona, ministri i Jashtëm i Turqisë u prit në Prishtinë fillimisht nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli dhe më pas edhe nga Presidenti Hashim Thaçi. Dy zyrtarët e lartë të Kosovës nuk folën për kërkesën e Turqisë, por ishte vetë Çavuşoğlu, i cili ka thënë se Kosova nuk duhet të lejojë shtrirjen e veprimtarisë së organizatës “Feto”, në Kosovë.
“Ne presim që t’i ekstradojnë ata“
“Ne nuk duam që Kosova t’i lejojë terroristët, të cilët kanë bërë puç në Turqi të jetojnë këtu. Ne presim që t’i ekstradojnë ata. Ne ata i konsiderojmë të rrezikshëm për Turqinë dhe sigurinë e Kosovës. Ne nuk do të lejonim që dikush në Turqi të bënte ndonjë veprimtari ilegale për Kosovën e lëre më ndonjë puç. Ne do t’i dorëzonim në Kosovë të gjithë ata që do të tentonin diçka të tillë”, është shprehur ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu.
Të njëjtën kërkesë shefi i diplomacisë turke e bëri edhe për qeverinë e Shqipërisë gjatë vizitës që zhvilloi të njejtën ditë atje.
“Në Shqipëri ka një strukturë fetoiste tepër serioze të shtrirë në të gjitha fushat. Si dhe në vendet e tjera. Ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar në sistemin shtetëror. Turqia pret që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri”, citojnë mediet në Shqipëri Cavusoglun.
Arrestimi i 6 qytetarëve turq
Në 29 mars të këtij viti, ndërkaq, Policia e Kosovës pati arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq. Pesë prej tyre ishin punonjës në rrjetin e shkollave “Mehmet Akif”. Lëvizja e Gylenit ka gjithsej katër shkolla në gjithë Kosovën. Shkollat “Mehmet Akif” ku punonin gjashtë shtetasit e Turqisë, janë të shtrira në disa qytete të Kosovës dhe i përkasin Institucionit Arsimor turk “Gylistan”. Zyrtarë të ministrisë së Arsimit të Kosovës disa herë kanë deklaruar se këto institucione shkollore, veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Gylistan, në Kosovë ka edhe kopshte fëmijësh, institucione parashkollore e shkolla fillore dhe të mesme pothuaj në të gjithë Kosovën.
Arrestimi dhe dëbimi i gjashtë turqëve për në Turqi, pati ngritur debat të ashpër në skenën politike kosovare. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës ishin kundër këtij dëbimi dhe kjo ndodhi siç thanë ata “pa dijeninë e tyre”. “Arrestimi i sotëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, pati deklaruar Kadri Veseli. E rasti i arrestimit dhe dëbimit brenda ditës i gjashtë shtetasve turq, bëri që të japin dorëheqje ministri i Punëve të Brendshme dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Turqia mbështet dialogun Kosovë-Serbi
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë qëndrimit në shkurtër të premten në Prishtinë, ndër të tjera u shpreh edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se Turqia e mbështet këtë dialog duke potencuar faktin që Turqia i kushton një rëndësi të madhe stabilitetit dhe paqes në rajon. “Ne me popullin e Kosovës kemi lidhje historike dhe integriteti territorial i Kosovës është bazë për ne. Ne do të bisedojmë edhe me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë jemi duke u angazhuar. Kemi arritje të mëdha, ne e mbështesim edhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe paqen e konsiderojmë të rëndësishme”, u shpreh Çavuşoğlu.
Nga ana e tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “Kosova po kërkon të arrijë marrëveshje paqësore me Serbinë, që do të hapë perspektivë evropiane për të dy vendet. Marrëveshja është në interes të të dyja vendeve”, ka thënë Presidenti Thaçi pas takimit me ministrin e Jashtëm të Turqisë.
/b.d