Qytetarët polakë votojnë sot në zgjedhjet lokale, të cilat shihen si test për partinë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, politikat e të cilës kanë shkaktuar shqetësim në Bruksel, për shkak të ndryshimeve që mund ta çojnë vendin drejt një sundimi autoritar.
Një rezultat i mirë për partinë në pushtet do t’i shtonte këto shqetësime vetëm pak muaj para se vetë Parlamenti Europian të mbajë zgjedhjet e veta, që po paraprihen nga një retorikë e shtuar e grupeve të partive euroskeptike.
Një rritje e mbështetjes do të ishte po ashtu një shqetësim i madh për Platformën Civile, partia nga e cila ka dalë Donald Tusk, i cili mban aktualisht postin e presidentit të Këshillit Europian.
Partia Ligj dhe Drejtësi e mori pushtetin në vitin 2015, me premtimet për reforma dhe mirëqeverisje, konservatorizëm social dhe rol të shtuar të shtetit në ekonomi.
Zgjedhjet vijnë në një moment jo të lehtë për të ardhmen e Europës, ndërsa Brexit dhe kryeministri hungarez Viktor Orban e kanë tronditur Bllokun, ndërsa partitë e të djathtës po fitojnë terren gjithnjë e më shumë në kontinentin e vjetër.
Liderët e BE-së thonë se ndryshimet që partia qeverisëse ka bërë në sistemin gjyqësor në Poloni kërcënojnë sundimin e ligjit në vend dhe parashikojnë sanksione të ashpra.