Kjo pjesë e shtatë e intervistës me deputetin Spartak Braho në gazetën Dita, fokusohet tërësisht në ngjarjet e marsit të vitit 1997. Zoti Braho na servir një raport që ka bërë në Kuvendin e Shqipërisë ish-shefi i SHIK-ut në atë kohë, tri javë pasi ishte graduar Gjeneral dhe ishte emëruar Komandant i Shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur në 3 mars të atij viti. Ndryshe nga se zhvilloheshin ngjarjet në terren, Gazidede paraqet një tablo krejt tjetër për të arsyetuar dhunën dhe represionin kundër Jugut të vendit. Prandaj dhe deputeti Braho na tregon dhe disa dokumente të kohës me urdhra mobilizimi dhe armatosje të militantëve të PD-së. Sikurse na thotë, këto gjëra i dinë të gjithë shqiptarët që e kanë jetuar atë tmerr, por po e bëj për të freskuar kujtesën e atyre që duan të na hiqen tashmë si shpëtimtarë të situatës, ndërkohë që janë shkaktarë të tragjedisë.
– Zoti Braho, e kam dëgjuar qysh në atë kohë këtë raport të Gazidedes në Kuvend, por tani që e rilexova më duket e pabesueshme një logjikë e tillë e mbrapshtë që është përdorur. Mendoni se është mirë të botohet një dokument i tillë?
– Natyrisht që bëni shumë mirë ta botoni. Është një dokument që flet shumë dhe tregon shumëpër situatën në atë kohë. Ndërkohë që Shqipëria ishte në flakë, pikërisht nga Berisha dhe sejmenët e tij me në krye Gazideden, në atë raport jepet një tablo me kokë poshtë. Por, për të kuptuar absurditetin e këtij raporti, duhet patjetër të vendosemi në kohë. Për të justifikuar dhunën dhe represionin shtetëror ndaj jugut të vendit, Gazidedja në një parlament që dominohej tërësisht nga banditët që kishin vjedhur zgjedhjet e 26 majit të 1996-s, përpiqej t’i mbushte mendjen opinionit se SHIK-u ishte një “ëngjëll” shpëtimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët! A ka absurditet më të madh se ky? Mirëpo këtë absurditet, pra këto gorrica të Gazidedes, (në fakt të Berishës, por të artikuluara nga Gazidedja) nuk i hëngrën shqiptarët as në atë kohë 21 vjet më parë dhe aq më pak sot.
– Pra Gazidedja fliste me gjuhën e Berishës?
– Pa asnjë dyshim. Pse do thoni ju? Fare thjesht. Sepse ndodhi ajo gjëmë e dimë të gjithë, për shkak të sjelljeve fashiste të Berishës dhe qeverisë së tij. Kush e bëri manipulimin gjigant të zgjedhjeve të 26 majit 1996? Berisha. Po urdhrat për armatosjen e militantëve të PD-së, shikasve etj., kush e dha? Gjenerali Gazidede me porosi të Berishës. Gazidedja ishte në rolin e një ministri të Hitlerit, fjala vjen të Gebelsit, ndërsa Hitleri i Gazidedes dihej se kush ishte. E dinë gjithë shqiptarët. Atëherë, pse duheshin akuzuar deri edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një plan për copëtimin e Shqipërisë? Për të justifikuar dhunën me zjarr dhe hekur që pushteti fashist i Berishës përdori kundër jugut të vendit. Kur të gjitha faktet tregojnë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe mbeten fuqia e madhe mbrojtëse e integritetit të Shqipërisë. SHBA e kanë bërë këtë edhe në kohën e Enver Hoxhës. Mirëpo paranojaku Berisha i sheh Shtetet e Bashkuara si armikun numër një të Shqipërisë. Prandaj dhe Gazidedja në vitin 1997 e vuri SHBA ne krye të listës së vendeve që komplotuan kundër Shqipërisë. Ishte mendja e Berishës, jo e Gazidedes kjo marrëzi. Ndryshe nuk ka si të shpjegohen akuzat e rënda që ai u ka bërë të gjithë ambasadorëve amerikanë në Shqipëri pas vitit 1991…
– Si mund të argumentohet kjo?
– Fare lehtë. Shiko urdhrat që jepte Gazidedja për armatosjen dhe mobilizimin e militantëve të PD-së dhe shikasve jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër rrethe. Janë dokumente që nuk kanë nevojë për komente. Shiko urdhrin numër 02 të datës 8 mars 1997 për prefekturën e Beratit. Është urdhër direkt i Gazidedes, me cilësinë e Komandantit të Shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme, për mobilizimin e qindra vetëve për çdo fshat. E ka firmosur prefekti i asaj kohe Kamber Elezi. Nuk e njoh këtë njeri, sikurse nuk njoh edhe të tjerë që u del emri nëpër dokumente. Por këto janë dokumente me firmë e me vulë… Botojini. Nuk shqetësohem hiç fare nga reagimet. Në vijim do të jap edhe listat tjera të rretheve të tjera. Lexo po munde edhe emrat, janë 564 në qarqe të ndryshme, nga Bathorja e Kamza, Dibra e Tropoja, Shkodra e Tirana… të cilët janë pajisur me armë automatike, jepet nr. i armës, krehërat me fishekë, sasia e të cilëve shkonte deri në 160.
-Pse duhen botuar këto dokumente tani që kanë kaluar më shumë se 21 vjet nga tragjedia?
-Sepse është spekuluar e po spekulohet jashtëzakonisht shumë. Për më tepër PD vazhdon të mbajë të njëjtën vijë sjelljeje dhe është e gatshme t’i vërë sërish zjarrin Shqipërisë dhe të shkaktojë viktima të tjera të panumërta. Po e bëj këtë gjest për të freskuar kujtesën e shqiptarëve dhe të atyre që duan të na hiqen tashmë si shpëtimtarë të situatës, ndërkohë që janë shkaktarë të tragjedisë. Pra, po e bëj që tragjedi të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Dhe mos harroni: Koka e krimit e ka emrin Sali Berisha. Ai nxiti dhe frymëzoi atëherë tragjedinë dhe po përgatit plane të reja për gjakderdhje në këtë vend
Gazidede: Plani amerikan, grek dhe jugosllav për copëtimin e Shqipërisë
SEANCA PLENARE E KUVENDIT POPULLOR, DATË 26.3.1997
(Raportim nga z.Bashkim Gazidede)
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Shërbimi Informativ Kombëtar është krijuar në korrik të vitit 1991 me ligj të parlamentit të asaj kohe. Unë jam emëruar në krye të këtij dikasteri në fund të qershorit të vitit 1992 me dekret të Presidentit të Republikës. Në këtë kohë gjeta në Shërbim punonjës të ish-Sigurimit të Shtetit që kishin ndryshuar vendet e mëparshme, por në thelb nuk kishte ndryshuar asnjë gjë në personelin e këtij institucioni.
Pa i paragjykuar ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit, kam bërë reformë, duke larguar mbi 98 për qind të tyre, ata punonjës mbi të cilët rëndonte e kaluara e Sigurimit të Shtetit, e këtij organizmi famëkeq, prej të cilit e kanë pësuar mjaft shqiptarë. Në vend të tyre janë marrë në punë në përgjithësi djem e vajza të reja, të diplomuar në universitete e shkollat tona të larta, si inxhinierë, agronomë, mësues, ekonomistë, juristë etj., deri dhe pedagogë të Universitetit me tituj e grada shkencore. Qëllimi im në krye të këtij institucioni ka qenë vetëm kjo: të krijohet një institucion demokratik, i një shteti demokratik, që të kryejë të gjitha detyrat në përputhje me ligjin që e ngarkonte parlamenti. Dhe gjatë kësaj periudhe ky organ ka kryer jo pak detyra, ka ndjekur probleme të spiunazhit, të korrupsionit, veprimtari të ndryshme antikushtetuese etj.
E them me gojën plot sot përpara jush se institucioni që unë kam drejtuar është karakterizuar nga një përkushtim i veçantë, nga një përpjekje e gjithanshme për profesionalizëm, për ndershmëri në punë etj. Një institucion nuk gjykohet nga reagimet dhe thashethemet e dashakqinjëve të tij. Kështu, SHIK-u dhe veprimtaria e tij s’mund të gjykohet as nga thashethemet e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit, as nga aktivistët e anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare dhe as nga spiunët e shërbimeve të huaja.
Nuk është e rastit që armiqtë e Shqipërisë të shpifin për një ndër institucionet më serioze të saj. SHIK-u dhe dokumentacioni i tij u ka interesuar në radhë të parë kriminelëve, trafikantëve dhe agjentëve të shërbimeve të huaja, të cilët janë dhe autorë të të gjitha shpifjeve dhe thashethemeve, si dhe të sulmeve mbi këtë institucion. Asnjë nga shpifjet që përhapën kohët e fundit për këtë institucion nuk është e vërtetë. Arrihet deri aty sa të thuhet se oficerë të SHIK-ut kanë përdhunuar gra dhe vajza, ndërkohë që po të pyesësh se ku, kë dhe kush, asnjëri nuk është në gjendje të thotë asnjë fakt, pra vetëm e vetëm që të krijojnë mjegull e urrejtje për këtë institucion. Natyrisht, në një periudhë të tillë në Shqipëri shkaktarët e vërtetë të të gjithë kësaj katrahure kërkojnë të mënjanojnë institucionin më të rëndësishëm në këto momente kur armiqtë e Shqipërisë kërkojnë ta copëtojnë atë dhe kur e dinë se mënjanimi i Shërbimit do t’ua lehtësonte dhe më tepër një gjë të tillë.
Puna e këtij Shërbimi gjatë kësaj periudhe që unë e kam drejtuar, është e dokumentuar dhe megjithëse është jopublike, është e kontrollueshme për çdo problem nga komisione parlamentare që mund të caktohen për këtë punë. Kur të ftohen gjakrat dhe të kullohen ujërat, do të dalë në shesh se ç’kontribut ka dhënë për Shqipërinë ky institucion.
Situata që po përjetohet kohët e fundit në Shqipëri paraqitet tepër e vështirë. Po vihet në diskutim integriteti i Shqipërisë, duke u rrezikuar deri copëtimi i saj për llogari të vendeve fqinj. Synimet për copëtimin e Shqipërisë kanë qenë të hershme dhe në rrethana e kohë të ndryshme janë shfrytëzuar momente të favorshme për t’u realizuar këto plane. Le t’u referohemi disa prej këtyre planeve të hartuara vitet e fundit, që kanë patur për synim tjetërsimin e territorit të Shqipërisë së Jugut, të ashtuquajturit Vorio-Epir:
Në vitin ’90 Shqipëria ndodhej në kolaps të plotë ekonomik dhe politik. Varfëria ekstreme që kishte përfshirë vendin dhe sistemi politik që e kishte futur Shqipërinë në këtë varfëri, duke qenë i pafuqishëm për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve, u shfrytëzua nga qarqe të caktuara për interesat e tyre shovene, me qëllim tjetërsimin e Shqipërisë së Jugut. SHIK-u është në dijeni të një plani të detajuar, të hartuar në këtë periudhë, të quajtur “Plani Lotos”, pra bëhet fjalë për vitet ’90, i hartuar nga qarqe të caktuara vorioepirote dhe që kishin si strategji çlirimin e Vorio-Epirit nga sundimi shqiptar, si dhe mënyrën për realizimin e këtij plani. Plani përcaktonte me hollësi të gjitha etapat e nevojshme për fillimin e një kryengritjeje të armatosur për çlirimin e Vorio-Epirit. Unë po ju lexoj disa pjesë të këtij plani, i cili disponohet i potë nga SHIK-u dhe që nuk është realizuar në vitin 1990, natyrisht për disa arsye, por që sipas mendimit tonë është realizuar pothuajse pikë për pikë tani.
Pika e parë e këtij plani përcakton se qëllimi është çlirimi i Vorio-Epirit nga pushtuesit shqiptarë. Më pas, sipas dëshirës së banorëve të Vorio-Epirit, siç cilësohet aty, duhet të zgjidhet autonomia, pavarësia ose bashkimi me Greqinë.
Pika e dytë e planit: “Logjika e zhvillimit të luftës”. Kjo shihet në dy plane: në planin politik dhe atë luftarak, me parimin që (po citoj) “asnjëherë nuk ka arritur në mënyrë paqësore të fitojë lirinë e tij, kështu që rruga e vetme per çlirimin e Vorio-Epirit është lufta e armatosur me mbështetje politike. Për këtë qëllim duhet të krijohet ligjërisht pushteti politik si organizëm, domethënë një këshill që do të marrë përgjegjësinë e veprimeve e do të përfaqësojë kudo lëvizjen kryengritëse; të hapen zyra, ku të ligjërohet vendi i kryengritjes, ku do të gjendet nga të interesuarit organi i pushtetit politik për kryengritjen; të vihet në zbatim një pjesë e mjaftueshme e programit, kryesisht për pikat që bëjnë fjalë për ndërkombëtarizimin e kryengritjes”.
Ideja në këtë plan është që tek populli shqiptar të shfrytëzohen pakënaqësitë e ndryshme ndaj shtetit dhe (që është pjesa më interesante) “kur populli shqiptar do të konstatojë se kryengritja ka për qëllim çlirimin e Vorio-Epirit, atëherë ai s’do të ketë mundësi të vendosë për fatet e Shqipërisë”.
Pika “c” e planit: Për çështjen e Vorio-Epirit do të jenë të interesuar SHBA, Greqia, Jugosllavia etj. Greqia do të jetë nga vendet më të interesuara për problemin e kryengritjes, me gjithë rezervat e vetë shtetit grek.
Veprimet fillestare: Lëvizja Çlirimtare për Vorio-Epirin si hap të parë duhet të krijojë veprime të pastra politike, ku theksi duhet të vihet tek krijimi i Këshillit ilegal të kryengritjes, i përgjegjshëm për përballimin e punës së përditshme, për programimin dhe në përgjithësi për përfaqësimin ligjor të Lëvizjes; organizimi i informacionit; krijimi i sillogjeve të miqve vorioepirotë; organizim zyrash, që duhet të zihen në vende qendrore dhe të dukshme, me qëllim që të sigurohet një publicitet sa më i madh. Nevoja është e ngutshme, e qartë dhe ka për qëllim të krijojë lëvizje tek shqiptarët,
Taktikat e luftës. Këtu vihet theksi, përveç të tjerash, a. në ndërkombëtarizimin e problemit; b. në përgatitjen psikologjike për luftën e armatosur; c. në vendosjen e gjithë problemit mbi bazën e të drejtave njerëzore dhe lirive personale; d. në mbrojtjen për sulm, ku të sqarohet dhe të bindet opinioni, që të mos dukemi si sulmues terroristë, por kryengritës politikë; sulme të vazhdueshme; në këtë pikë çdo aleancë apo tërheqje do të jetë vdekjeprurëse për Lëvizjen; e. të sigurohet asnjanësia nga shteti grek; ë. bashkëpunim me elementin grek kudo që të ndodhet. Kjo, para së gjithash, në Amerikë, ku homogjenët kanë mundësi të ndihmojnë efektivisht në zhvillimin e luftës çlirimtare.
Pika e pestë e planit: “Orgaruzimi ushtarak i kryengritjes”. Në një nga pikat e këtij organizimi bëhet fjalë per sulme të armatosura ndaj reparteve të ushtrisë shqiptare. Në fund vihet theksi që kryengritja duhet të jetë politike dhe ushtarake. Baza e kryengritjes do të jetë ushtarake, politikja do të ndihmojë ushtaraken.
1.Përpjekja ushtarake nuk do të bëhet në zona ku rrojnë popullsi greke, me qëllim largimin e pasojave të dëmtimit të tyre.
2.Të organizohet një shtab me persona legalë dhe ilegalë.
Këto ishin disa pika të planit të hartuar në vitin 1990 për çlirimin e Vorio-Epirit nga disa drejtues të sillogjeve vorioepirote në Greqi dhe të lobit grek në SHBA. Në këtë vit 5 përfaqësues kryesorë të tyre kanë bërë një mbledhje në Gjenevë, ku kanë hartuar këtë plan, i cili ndodhet në duart tona.
Për realizimin e këtij plani u punua në vazhdimësi. Pas hapjes së Shqipërisë dhe vendosjes së pluralizmit, që në ditët e para u krijua organizata Omonia, në të cilën fatkeqësisht disa ish-drejtues të saj u përpoqën të krijojnë struktura organizative të ngjashme me një prefekturë greke.
Në vitet 1991-1992 në rrugë ilegale në Shqipëri u futën mijëra libra, broshura e harta, në të cilat propagandohej çështja e Vorio-Epirit, me qëllim përgatitjen psikologjike për organizimin e kryengritjes së armatosur. Harta të ndryshme përcaktonin kufijtë e Greqisë deri në lumin Shkumbin.
Në vitet 1991-1992, mbi bazën e kërkesës së bërë Kryeministrit grek të asaj periudhe, Micotaqisit, nga shoqata e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë vorioepirotë me qendër në Athinë kërkohej armatosja e minoritarëve.
Prej shumë vitesh çështjes së Vorio-Epirit i kanë shërbyer institucione të ndryshme, të krijuar për këtë qëllim. Kështu, për shembull, Instituti i Kërkimeve Vorioepirote, i krijuar që në vitin 1960, gjatë gjithë kohës ka përgatitur kuadro, të cilët do të punonin për çështjen e Vorio-Epirit. I kamufluar si institucion që merret me studime shkencore dhe etnografike, në thelb veprimtaria e tij ka pasur si qëllim rekrutimin e shqiptarëve që emigronin në Greqi. Përmes këtij instituti bëhej infiltrimi i shqiptarëve që shkonin në Greqi dhe kryesisht i oficerëve të liruar nga ushtria dhe ish-Sigurimi i Shtetit, sidomos gjatë viteve 1991-1992. Po kështu, nëpërmes këtij instituti, Sebastianosi, i njohur për karakterin e tij antishqiptar, dhe ndonjë pushtetar grek, ku mund të përmendim ish-zv.ministren e asaj kohe, zonjën Suderu, organizuan dhe drejtuan një pjesë të ish-drejtuesve të organizatës Omonia.
Gjithashtu, përveç këtij instituti, Instituti i Rikthimit të Homogjenëve Grekë, në formë e rrugë të ndryshme, stimulonte investitorë të ndryshëm që do t’i shërbenin çështjes së Vorio-Epirit.
Në funksion të kësaj ideje ishin dhe shumë sillogje greke, shoqata, nga të cilat mund të përmendim SFEVA, ENVI, MAVI, QEVA, POAGA. Këto organizata organizohen e drejtohen nga shovinistë grekë dhe në qendër në programit të tyre kanë lëvizjen për çlirimin e Vorio-Epirit.
– SFEVA, që është komiteti koordinues studentor i luftës për Vorio-Epirin, drejtohet nga Grigor Gizelis, i cili është një ndër hartuesit e planit që përmenda më sipër, Planit Lotos, siç quhet, së bashku me disa pjesëtarë të lobit greko-amerikanë. Drejtues i kësaj organizate deri në momentin e vdekjes ka qenë Sebastianos. Kjo organizatë ka financuar rreth 200 kurse gjoja të gjuhës, historisë dhe etnografisë greke në Shqipëri.
– ENVI është organizata e rinisë vorioepirote. Bazë e programit të saj janë këto pika: hapja e shkollave dhe kurseve të gjuhës dhe historisë greke; shpenzimet ekonomike për aktivistët e çështjes së luftës për Vorio-Epirin dhe qeverisjen e Vorio- Epirit me një pushtet të ndarë nga qeveria shqiptare; krijimin e trupës së mbrojtjes të rendit nga vetë vorioepirotët, e cila do të sigurojë rendin e qetësinë në banorët e Vorio-Epirit.
– MAVI është organizatë terroriste e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjenerali Zerva dhe që u shfaq përsëri në aktin terrorist të masakrës së Peshkëpisë.
– Organizata kryesore që ka drejtuar dhe drejton gjithë lëvizjen për helenizimin e Shqipërisë së Jugut është POAGA, që quhet Konfederata ose Organizata Panhepirote e Amerikës, Kanadasë dhe Austraiisë. Kjo organizatë është krijuar më 1942 në Nju-Jork të SHBA, ku ndodhet dhe pjesa më e madhe e lobit grek. Drejtuesi i kësaj organizate që nga 1993 është Nikolla Geiç ose Niko Gazojani, siç quhet ndryshe nga grekët. Ky është dhe hallka ndërlidhëse midis POAG-ës dhe gjithë organizatave të përmendura më lart. Nikolla Geiç është njohës i mirë i Shqipërisë së Jugut, pasi, përveç të tjerave, ka qenë edhe mbi 7 herë në këtë vend, është i lindur në fshatin Lia, afër Kamandës në kufi me Shqipërinë, ka punuar e punon për bashkimin e gjithë vorioepirotëve. Sa herë që ka ardhur në Shqipëri, ka kontaktuar direkt me drejtues të minoritetit grek dhe ka qenë ndër financuesit kryesorë. Duke qenë kryetar i organizatës më të madhe vorioepirote, POAGA, ai ka luajtur e luan një rol tepër aktiv në organizimin dhe ndërkombëtarizimin e luftës për Vorio-Epirin. Aktiviteti i tij shovinist kundër Shqipërisë dhe lidhjet e tij me organizata terroriste nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga shtypi grek i periudhës së fundit. Kështu, për shembull, gazeta “Panea”, më 22.3.1995, që botohet në Athinë, shkruan artikullin “Shërbimi i brendshëm sekret grek heton vetëveten, hetime në thellësi…” Është fjala për ata që organizuan masakrën e Peshkëpisë. Në artikull thuhet që kreu i organizatës MAVI duhet të jetë një grekoamerikan i cili ka vizituar rregullisht Shqipërinë. Gjithashtu për aktivitetin e tij ndaj Shqipërisë grekoamerikani Geiç është shprehur edhe me personalitete të larta të shtetit amerikan. Dita
ma.me