Javë kritike për marrëveshjen e Prespës, javë kritike edhe për të ardhmen e qeverisë greke. Si përfundim, dorëheqja Nikos Kotzias erdhi nga një përçarje e papritur, apo tepër vonë për t’u ndalur? Megjithë mohimin nga zëdhënësi i qeverisë Dhimitris Xanakopoulos, media greke thekson se ministri i Jashtëm ishte përgatitur rreth 9 herë të jepte dorëheqjen, gjatë periudhës 3,5 vjeçare në krye të dikasterit, por këtë radhë duket se vërtet u derdh kupa. Dhe kupën e derdhi zbulimi për fonde sekrete si shpërblim për fjalët e mira në median shqiptare dhe ato maqedonase…
Historiku i ngjarjes që shkaktoi efektin domino
Gjatë mbledhjes së këshillit ministror të së martës, 16 tetor, ministri i Jashtëm Nikos Kotzias debaton ashpër me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos. Ky i fundit, në takimin me ndihmës-sekretarin amerikan për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Mitchell Ëess, shpall një Plan B në rast dështimi të marrëveshjes së Prespës, pa u konsultuar aspak me qeverinë e koalicionit.
Gjithsesi, kryeministri Tsipras, tejkalon disi ngjarjen dhe vijon me mbledhjen e Këshillit Ministror ku, sipas medias greke, kërkon konsensus e përkushtim në temat madhore, pa u zgjatur në polemika personale. Mesa duket nuk e ka ndjekur në këtë sugjerim ministri i Jashtëm Nikos Kotzias, i cili sapo ka marrë fjalën, ka sulmuar ministrin e Mbrojtjes, njëkohësisht kryetar i partisë së vogël e të djathtë të koalicionit “Grekët e Pavarur”, për ndërhyrje jashtë kompetencave në diplomacinë greke.
Më tej, debati është ndezur më keq nga Panos Kamenos, i cili në vend të shpjegimeve, ka vendosur t’i kthehet kolegut në qeveri me pretendime për informacione në lidhje me 45 milionë euro fonde nga fondacioni Soros hedhur për diplomacinë greke. Nikos Kotzias, tejet i irrituar, ka reaguar ashpër duke theksuar se ka vetëm 11 milionë euro fonde sekrete, gjysmat janë për Kishën Ortodokse dhe se nga viti 2016, me vendim të tij, këto fonde miratohen nga ministria e Financës e më tej kontrollohen nga komision përkatës i Parlamentit grek.
Në vijim, ka kërkuar mbështetjen e kryeministrit grek dhe të pranishmëve, kundër akuzave të padrejta, siç i ka konsideruar ai, të Panos Kamenos. Aleksis Tsipras ka preferuar një qëndrim neutral, pa i dalë askujt në krah, duke iu drejtuar kabinetit qeveritar: “E shikoni çfarë heq unë me këta të dy?”. Burime thonë se sidomos kjo deklaratë ka nervozuar së tepërmi Kotzias.
Menjëherë pas mbledhjes, ministri i Jashtëm u drejtua në presidencën greke për një takim me Prokopis Pavlopulos, ku dhe deklaroi vendimin e tij për dorëheqjen, që u zyrtarizua të mërkurën më 17 tetor, në mesditë, me pranimin dhe marrjen e postit nga vetë kryeministri Aleksis Cipras.
Çfarë dukej si fundi i krizës dhe qetësim gjakrash, ishte vetëm akti i parë i dramës
Vetëm një ditë më pas, të enjten 18 tetor, në gazetën elektronike iefimerida.gr, gazetari grek Dhimitris Takis, publikon një dokument top sekret, që referohet në miratimin nga parlamenti grek të fondeve sekrete, me datë 10 tetor 2018.
Si arriti ky dokument në duart e gazetarit, nga momenti që realisht ligji parashikon ndalimin e rreptë të rrjedhjes së informacioneve të tilla shtetërore? Th. Beredimas, kryetar i degës së portaleve në ESIEA-sindikatë e gazetarëve, thekson se dokumenta të tilla, menjëherë pas firmosjes duhet të shkatërrohen.
Së shpejti parashikohet të publikohen të tjera të dhëna, pasi lajmi i bujshëm nuk ka shkaktuar vetëm reagimin e ashpër të Kryeministrisë dhe kryetarit të Parlamentit grek, por edhe të prokurorisë së Athinës, që urdhëroi hetim urgjent për shkelje penale dhe akt kriminal për nxjerrjen e përmbajtjes së këtij dokumenti.
Në këtë dokument, ku bazohet dhe reportazhi ekskluziv i Dhimitris Takis dhe iefimerida.gr, (vërtetësia apo ekzistenca e të cilës akoma nuk është rrëzuar zyrtarisht, me ndonjë deklaratë përkatëse) përshkruhet qartë aktiviteti i fundit i ministrisë së Jashtme të Greqisë në lidhje me fondet sekrete, pagesat për të cilat kryhen nga llogari e posaçme në Bankën e Greqisë.
Konkretisht, vetëm një javë para se të shpërthejë debati Kotzias-Kamenos, shkruan gazetari Dhimitris Takis, parlamenti grek është informuar për shpenzime rreth 1 milionë euro nga fondet sekrete përkatëse në një listë me tre kode.
Kodi i parë – Këtu referohen shumat e shpërndara në media në Shqipëri (gazetari nuk publikon detaje të dokumentit, as emra dhe as shuma)
Kodi i dytë – Këtu referohen shumat e shpërndara në media në Maqedoni (gazetari nuk publikon detajet e dokumentit, as emra dhe as shuma)
Kodi i tretë – Shpenzime për mbështetjen e kishave ortodokse dhe në përgjithësi Ortodoksisë.
Në vijim, gazetari thekson se përsa i përket dy kodeve të para, nënkryetarët e Parlamentit drejtuan pyetje dikasterit ministror, për të marrë përgjigjen se “këto shuma janë shpërndarë për publikime pozitive ndaj imazhit të Greqisë dhe krijimin e një lobi me gazetarët në këto vende apo kokat e mediave në favor të interesave greke”. Gjithshtu, theksohet se edhe në të kaluarën nënkryetarët kishin kërkuar ekstra informacion në lidhje me fondet dhe përdorimin e tyre, por kërkesat nuk ishin plotësuar asnjëherë.
Lajmi shkakton bujë brenda pak minutave, media merr zjarr, pyetjet janë pafund dhe skena politike greke tronditet dhe polarizohet akoma më tej. Analizat referohen tek fondet sekrete si diçka mjaft normale për çdo shtet, që ndikon në favor të imazhit të vendit apo për mbështetjen e interesave të forta kombëtare, diçka krejtësisht e zakonshme dhe mëse e pranueshme.
Në vijim, ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos publikon në tëitter dhe portalin militaire.gr se shuma vjetore e fondeve sekrete në dikasterin e tij është vetëm 600.000 euro, me maksimum 5000 euro për çështje dhe se vitet e fundit janë përdorur edhe për shpenzime të shkaktuara nga kriza ekonomike (si p.sh. për çarçafë në spitalet ushtarake). Kështu ai ka mbyllur përfundimisht spekulimet rreth keqpërdorimit të fondeve, nga mungesa e transparencës.
Reagimet
Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, provokon hapur Tsipras të publikojë dorëheqjen prej 9 faqesh, ku përfshihen të gjitha përgjigjet për krizën qeveritare. Kryeministri grek, nga ana e tij, gjatë Samitit të Lartë në Bruksel, e ka refuzuar kërkesën duke thënë se akoma nuk e ka lexuar ende dhe se dorëheqja e tij është letër personale dhe jo publike.
Në reagimin e sekretarisë së kryeministrisë dhe kryetarit të parlamentit grek, Nikos Vutsis, pozicionohen kundër publikimit të hapur të dokumentit sekret shtetëror, si dhe dënohet akti i gazetarit grek, duke ngritur pyetjen se kujt i shërben konkretisht ky “zbulim” dhe pikërisht këtë periudhë?
Sërish, duhet shënuar, se nuk referohen hapur e qartë në përmbajtjen e dokumentit, duke mos përgënjeshtruar (deri tani) sa thuhen rreth shpërblimit të gazetarëve apo faktorëve mediatikë në Shqipëri e Maqedoni, për të luajtur role të caktuara a parapërcaktuara nga pala greke.
Hezitim apo taktikë, sidoqoftë përgjigjet e kufizuara kanë mjaftuar për të ngjallur spekulime të shumta për gjetjen e emrave dhe rolin e mediave dhe jo vetëm, të listës së të implikuarve, për të cilët, në Greqi deri tani nuk ka askund asnjë referim konkret. Madje, disa kanë nxituar të lidhin këtë dokument veçanërisht me atë 9 faqësh të dorëheqjes së ish-ministrit Kotzias, çfarë, në fakt, nuk ka asnjë bazë apo lidhje me realitetin. Duke mos patur të dhëna apo detaje të mëtejshëm për të ashtuquajturën “listë me emra e depozita”, media greke mjaftohet tashmë me pozicionimin zyrtar rreth nevojshmërisë për fondet sekrete “si një vegël e çdo shteti për të krijuar kushtet e domosdoshme dhe favorizimin maksimal në negociata, marrëveshje dhe inisiativa pro interesave të larta kombëtare”.
Ndoshta, në mbylljen me kaq urgjencë të çështjes, ka luajtur rol kritik dhe hetimi i urdhëruar nga Prokuroria e Athinës, që do procedohet nga Sigurimi Shtetëror grek. Hetim që përveç uljes së toneve, ka shkaktuar dhe një valë të paparë solidarizimi me portalin iefimerida.gr dhe gazetarin Dhimitris Takis nga një sërë politikanësh, deputetësh dhe eurodeputetësh të opozitës, gazetarë nga portale të tjera, akoma dhe lexues të shumtë, të cilët kryesisht bëjnë fjalë për ndërhyrje të paprecedentë në rolin dhe profesionin e gazetarit, i cili ka detyrimin moral të publikojë informacionin që siguron, pa u përulur kurrë para presioneve të ndryshme politike.
Por, si duhet vepruar kur ky informacion rrezikon interesat kombëtare të vendit, në momente tejet kritike, vallë? Dhe realisht, çfarë do të shkaktonte në marrëdhëniet e vendeve fqinje ballkanike, ky lloj publikimi? Pyetje që pala greke ka marrë masa të sigurta të mos kenë përgjigje!
Ecuria e Marrëveshjes së Prespës
Me kaq, duket se spekulimet ndaj transparencës dhe rolit gazetaresk në dy vendet fqinje ballkanike mbyllen dhe stafeta i kalon çështjeve vërtet madhore, si diskutimi i shumëpritur në kuvendin maqedonas të ndryshimit të kushtetutës. Miratimi pro nismës për ndryshimet kushtetuese, nga mbrëmja e djeshme, i hap rrugë ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Me votimin e nismës qeveria fitoi 15 ditë për të përgatitur amendamentet dhe për t’i kthyer sërish në procedurë parlamentare.
Si dhe në Greqi, ceremonisë tipike të marrjes së postit Ministër i Jashtëm i Greqisë, nga kryeministri Aleksis Tsipras. Ceremonia e betimit si ministër i Jashtëm nga Aleksis Tsipras do të zhvillohet sot, ora lokale 11.00 në ministrinë e Jashtme. Kryeministri ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë takim paraprak me ish-ministrin Kotzias. BW
ma.me