Në Shqipëri prej ditësh është hapur një debat publik nga kryeministri Rama mbi regjistrimin e portaleve. Falë këtij regjistrimi, portalet do të deklarojnë të ardhurat dhe financimet në QKB, duke u bërë kështu edhe formalizimi i këtij sektori që informon publikun.
Opozita në Tiranë ka dalë kundër formalizimit të këtij sektori. Edhe pse ka portale që nuk kanë asnjë reklamë, por nga ana tjetër kanë mbi 5 të punësuar si gazetarë që nuk dihet nga cilat para paguhen, Basha sërish ka dalë në krah të kësaj mënyre funskionimi duke shtuar dyshimet se këto media financohen prej tij, për sa kohë ai është kthyer në kamikaz i tyre (dhe ata të tij).
Por nuk janë vetëm paratë e partive që financojnë portalet për të mbajtur lojën politike të tyre. Të ishte vetëm kjo, do të ishte gjysma e së keqes. Por kjo sipas mediave greke është një lojë shumë më e madhe ajo e brendshmja. Ministria e jashtme greke raportohet se ka financuar me fondet sekrete mediat në Shqipëri dhe Maqedoni. Lajmi ka qarkulluar në mediat elektronike greke. “Shqyrtimi i fundit është bërë më 10 tetor. Dosja që u hap në zyrën e kryetarit të parlamentit përmbante tre kode, për një fond prej 1 milion eurosh. Të njëjtat burime thonë se kodi i parë ishte për para që iu dhanë mediave në Shqipëri, i dytë për media në Shkup dhe i treti për mbështetjen e kishave ortodokse. Sqarimi që u dha për dy kodet e para, ishte se janë përdorur me qëllim që të publikohen shkrime pozitive për Greqinë dhe të lobohet me gazetarë e drejtues mediash në dy vendet fqinje në dobi të interesave të Greqisë”, shkruan CNN Greek.
Greqia ka sqaruar se i ka përdorur ato para për të promovuar Greqinë, por nuk duhen shumë mend për të kuptuar që janë financuar edhe plot artikuj që shkojnë politkisht në interesin e saj, e këtu mund të jenë edhe lajme negative ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Kur këtë e ka bërë Greqia, nuk mund të mos themi se nuk e ka bërë edhe Rusia, e cila është investuar me të gjitha mjetet për të rritur influencën e saj në Ballkan. Kujtojmë që Rusia u investua më të gjitha mjetet që Mali i Zi të mos anëtarësohej në NATO. Madje mediat ndërkombëtare investiguan dhe dolën në përfundimin se oligarkët rusë kanë financuar edhe Partinë Demokratike të Bashës, i cili për pak nuk e çoi vendin në luftë civile vitin që shkoi.
Nga ana tjetër, kjo nuk është vetëm një çështje që prek vetëm shtetin shqiptar. Rusia është poashtu mbështetësja më e madhe e Serbisë që nuk njeh pavarsinë e Kosovës dhe lobon pro interesave serbe. Jo vetëm kaq, por ka dyshime se janë edhe paratë e Serbisë që poashtu kanë depërtuar në Shqipëri, për të lobuar pro qëllimeve serbe. Rasti më i freskët ishte një lajm kundër Presidentit Hashim Thaçi i cili pasi u botua në një media serbe, u amplifikua edhe në disa portale shqiptare, duke i bërë kështu një shërbim të madh interesave serbe për të përçarë shqiptarët. Lajmi i botuar kundër Thaçit e Veselit ishte një shërbim shumë i mirë pro serb, por ishte i dëmshëm dhe degjenerues për kombin shqiptar. A u bë ky shërbim falas? Duket pak e pamundur të jetë ashtu.
Thënë këtë, portalet në Shqipëri duhen regjistruar edhe për arsyen tjetër që ka të bëjë me financimin e errët nga palë të jashtme që përdorin portalet e paregjistruara për të përhapur mesazhet e tyre që në shumë raste janë anti-shqiptare që nxisin destabilitet në rajon.
/Përgatiti Flogert Muça/lexo.al