Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi ditën e sotme ish-ministrin italian Franco Frattini me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Kreu i shtetit shqiptar i akordoi ish-ministrit italian të Punëve të Jashtme dhe ish-Komisionerit Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë dekoratën e lartë me motivacionin:
“Në mirënjohje të kontributit të tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin europian dhe euroatlantik, dhe në veçanti për udhëheqjen e procesit historik të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian.”
Në ceremoni ishin të pranishëm kreu i opozitës, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, krerë dhe përfaqësues të bashkësive fetare shqiptare, personalitete të politikës e medias.
Në fjalën e rastit Meta tha, se “Në Itali ai njihet edhe si Prokuror, sot është edhe Kryetar i Dhomës Gjyqësore të Anti-Mafias dhe Emigracionit në Këshillin e Lartë të Shtetit, por ne shqiptarët e njohim më shumë si Avokat. Në të gjitha detyrat dhe postet e tij politike zoti Frattini ka qenë një nga avokatët më të zëshëm por edhe bindës për avancimin e Shqipërisë, por edhe të rajonit tonë në proceset integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian”.
Sipas kreut të shtetit, angazhimi i tij për një rajon gjithëpërfshirës, më bashkëpunues dhe në përparim të vazhdueshëm drejt BE-së, ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe rajonin tonë.
/b.d