Në funksion të krijimit të mundësive të reja, por edhe të vendeve të punës që paguhen shumë mirë, po eksplorohet mundësia e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën.
Lajmi u bë i ditur sot nga kryeministri Edi Rama, gjatë çeljes së punimeve të TAP në det në Fier.
Kreu i Ekzekutivit deklaroi se “në funksion të përpjekjes për të zgjeruar tregje për të krijuar mundësi të reja dhe mbi të gjitha për të krijuar perspektivë për vende punë që paguhen shumë më mirë dhe për njerëz të kualifikuar dhe me profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluar, por në rrugën e zhvillimit sot, jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën që është një risi shokuese në botën e sotme”.
Rama tha se “mundësi për të qenë inovativë dhe për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur me të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë më shumë apo më pak të zhvilluara dhe për momentin, jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator pasi kemi bërë një analizë dhe studim të thelluar”.
“Nëse rezultat do jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, gatishmërinë e vendit për t’u bërë vend pritës për investitorët e shumë potencialtë që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale”, përfundoi kryeministri Rama.
/b.d