Tirana rrezikon seriozisht zbritjen nga kategoria, dhe sërish për shkak të borxheve. Ish-lojtari i saj, Gjergji Muzaka, ende nuk është paguar plotësisht, ndërsa problemet financiare shtohen.
Nuk po mundet të shpëtojë nga ky shtrëngim duarsh. Tirana vazhdon të rrezikohet e të marrë ultimatume për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve për Gjergji Muzakën.
Kërcënimi më i fundit vjen nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që i dha afat 30-ditor klubit kryeqytetas, ndryshe atij do t’i hiqen tri pikë nga renditja e Superligës.
Burime pranë lojtarit bëjnë me dijë se fillimisht u respektua vetëm një pjesë e marrëveshjes, duke iu dhënë lojtarit rreth 3.6 milionë lekë të reja, ndërsa detyrimi mbetet rreth 7 milionë lekë të tjera, të cilat duhej të jepeshin në dy këste.
Historia nisi në janar 2015 kur Muzaka nënshkroi kontratën me Tiranën, ndërsa në janar 2017 ai shkoi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në Federatë, duke pretenduar 10.7 milionë lekë të mosdhëna nga Tirana. Gjyqet sportive vazhduan deri në maj të këtij viti, kur bardheblutë morën ultimatumin e radhës, por kriza u zgjidh me ndërmjetësimin e Federatës.
Tashmë, rreziku është kthyer sërish.
Nëse nuk respektojnë afatin e parë, tiranasve u zbriten tri pikë në Superligë, gjë që do t’i zbriste në vend të parafundit në renditje. Nëse kriza vazhdon, vjen ultimatumi i dytë 15-ditor në pas të cilit klubit i hiqen edhe tri pikë të tjera, dhe së fundi vjen afati përmbyllës 10-ditor, pas të cilit ka zbritje nga kategoria. Momenti nuk mund të ishte më i keq për Tiranën, pasi pak ditë më parë, erdhi largimi i trajnerit Ze Maria, i cili padyshim ra dakord me kusht që të marrë një pjesë të parave që i takonin.
/b.d